Në dhjetor të vitit 2020, Qeveria miratoi rregullat për procedurën e trajtimit të kërkesave për shërbime kadastrale nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Kërkesa për shërbime kadastrale u vendos të pranohen vetëm online, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Synimi kryesot i nismës, ishte eleminimi i kontakteve njerëzore, të cilat stimulonin korrupsionin në këtë institucion.
Ndërkohë, me datë 3 janar 2023, drejtorja e përgjithshme e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici, ka urdhëruar që struktura e sherbimeve kadastrale të Shkodrës si drejtori rajonale, të transferohet në Tiranë. Po ashtu, është urdhëruar inventarizimi dhe transferimi i dokumentacionit arkivor të kësaj drejtorie.
Që nga krijimi i saj, me emra të tjerë e sot Agjensia Shtetërore e Kadastrës, ka prodhuar nivele të larta korrupsioni, duke ngjallur pakënaqësi e madje revoltë tek qytetarët. Ndërsa kët ta fundit nuk kryenin asnjëherë punët e tyre edhe kur ishin bazuar në ligj, të tjerë, kundrejt pagesave, arrinin edhe të tjetërsonin prona. Gjatë ekzistencës së asj në Shkodër por edhe në qarqe të tjera, ky institucion më shumë ka krijuar se ka zgjidhur probleme, sidomos të hallexhinjve, ndërsa ka pasuruar drejtues, punonjës, sekserë dhe “të fortë” që i zgjidhnin punët e tyre “fët e fët”.
Hipoteka apo Kadastra e Shkodrës, ka qenë institucioni që ka ndërruar më shpesh drejtuesit e vet në vitet e ekzistencës nga 1992 e këtej. Madje, shumë syresh kanë përfunduar edhe në burg e procese gjyqësore. Kalimi i këtij sherbimi online, shmang kontaktin njerëzor dhe rrjedhimisht, deri diku, korrupsionin në nivele galopante.
Sigurisht nuk do ta zhdukë. Por të paktën abuzuesit e korruptuesit potencialë, do të duhet të shpenzojnë më shumë para dhe mundësia për të bërë presion në nivel vendor, bëhet pothuajse zero. Nuk është shumë, por një hap të paktën është hedhur. Shkodra ka nevojë për një Drejtori Arsimore Rajonale me qendër këtu, në djepin e arsimit shqiptar por jo për një çiban korrupsioni më shumë, përgjithësisht në dorën e “të fortëve” të radhës.