Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku shprehu dhimbjen dhe mbështetjen për familjet e dy punonjësve të OSHEE në Gjirokastër të cilët humbën jetën pasi ranë në lumë teksa ishin në krye të detyrës.
“Me keqardhje dhe dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të ekipit tonë të madh OSHEE, që humbën jetën në krye të detyrës. Ismet Isaraj 64 vjec dhe Selfo Kallfa 52 vjec me detyrë elektricist në degën rajonale të OSHEE Gjirokastër u nisën për të lokalizuar defektin e linjës, pas ndërprerjes së komunikimit mes tyre dhe qendrës, janë njoftuar forcat e rendit.
Ismeti ka qenë 22 vite pjesë e kësaj familje e Selfo 34 vite, pasi e ishin nisur punën në moshën 18 vjecare, aq vjec sa është sot Fabiani, djali i tij. OSHEE do kujdeset për familjet e punonjësve të rënë në krye të detyrës, ne jemi të gjithë pranë tyre në këto momente”.
Ministrja Balluku dha lajmin gjithashtu se do të shpërblehen të gjithë punonjësit e OSHEE dhe OST, për punën që kanë bërë gjatë kësaj jave në kushtet e motit ekstrem.
“Respekt për heroizmin e treguar nga cdo punonjës i OSHEE dhe OST në cdo moment të kësaj jave sfiduese, të cilët kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme të ndikuara nga moti për të minimizuar e riparuar cdo defekt, dëm elektrik e mos lënë askënd pa energji.
Kam kërkuar nga drejtuesi i OSHEE dhe i OST të paraqesin pranë këshillave mbikqyrës kërkesën për shpërblim të punonjësve të këtyre dy ndërmarrjeve për gjithë punën e palodhur që kanë kryer gjagë këtyre ditëve sfiduese në kushtet e motit ekstrem” , tha ministrja.
Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama shkruajti në postimin bashkangjitur videos që ministres Balluku:
“Bashkohem me ngushëllimet e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për familjet e për kolegët e dy punonjësve të OSSHE që humbën jetën në krye të detyrës, si edhe u shpreh të gjithë mirënjohjen time e të qeverisë, të gjithë atyre mijëra shërbëtorëve të shtetit e të popullit, që në këto ditë me mot të jashtëzakonshmëm punuan pa u kursyer e duke u gdhirë në fronte tejet të vështira, duke riparuar dëmet në energji e hapur rrugët e bllokuara nga stuhitë e dëborës”.