Fatmir Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën. Ky është përfundimi që ka arritur pas hetimit disa mujor, Prokuroria e Posaçme (SPAK) për ish- ministrin e Mbrojtjes mbi të cilin tashmë rëndon akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe zyrtarisht është marrë i pandehur. Mediut i është komunikuar zyrtarisht akuza sot nga SPAK, ndërsa ai është marrë në pyetje për 60 minuta. Në daljen e tij për mediat, Mediu tha se SPAK nuk kishte asnjë provë shtesë dhe se akuzë është e motivuar politikisht.
“Dua t’ju bëj me dije që më është prezantuar i njëjti fashikull, e njëjta akuzë si në 2009, pa shtuar asnjë dokument dhe as provë shtesë, akuzë për shpërdorim detyre, kam kërkuar që të pyetem, nuk jam pyetur asnjëherë”, tha Mediu.
Mediu tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me firmën amerikane që merrej me demontimin, teksa sfidoi duke thënë se “Nëse gjejnë një kontakt timin përtej detyrës si ministër mbaj përgjegjësi maksimale”.
“Nëse do të më gjenin një marrëdhënia timen me këtë çështje gjithë përgjegjësin e marr unë. Nuk kam pasur asnjëlloj kontakti me firmën amerikane që merrej me demontimin”, shtoi ish-ministri.
Prokuroria e Posaçme ka hapur çështjen dhe vijon hetimet që prej një viti tashmë, për të identifikuar përgjegjësit kryesor të tragjedisë së Gërdecit që ndodhi gjatë kohës që qeveriste si kryeministër Sali Berisha.