Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Alfred Kristuli ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa në ‘News24’, ku ka folur për situatën nga zjarret në vend, por edhe për ngjarjen tragjike në Velipojë ku si pasojë e shpërthimit të gazit të lëngshëm një resort turistik u plagosën disa persona. Kristuli tha se shërbimi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje për 2 minuta, ndërsa për të shmangur këto ngjarje duhet të merren masa parandaluese.
“Shërbimi zjarrfikës ka qene në vendngjarje për 2 minuta. Zjarri u fik nga personeli që ishte dhe nuk u kërkua ndihmë. Përmasa tjetër ishte tek shpërthimi. Problemi tek gazi i lëngshëm është duke u trajtuar në dy shtylla. Kryesorja janë masat dhe parandalimi si dhe ndërhyrja. ISHTI nuk kishte pse lejonte 1 mijë litra gaz të lëngshëm në një resort. Pra kush janë këto masa parandaluese? Masat parandaluese duhet të respektohen nga kompanitë. Pra janë sinjalizuesit që të njoftojnë për çdo rrjedhje gazi dhe këto sinjalizues gjenden kollaj”, – tha Alfred Kristuli.
Ndërkohë sa i përket situatës së zjarreve ne vend, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës tha se operacionet më të vështira kanë qënë në zjarret që ranë në Tepelenë, Berat dhe Ibë.
“Shërbimi zjarrfikës nga viti 2015 i është kaluar shërbimeve vendore dhe kjo është një reformë që është bërë në kohën e duhur. Por edhe sensibilizimi i komunitetit ka ndikim. Zjarri më i rrezikshëm nisi në Tepelenë ku janë përqendruar forca edhe nga shërbimi zjarrfikës nga Gjirokastra dhe Përmeti. Po ashtu kemi edhe rastin e zjarrit në Berat dhe në Ibë ku përveç forcave të shërbimit zjarrfikës dhanë ndihmëse edhe forcat e Armatosura”- tha ai./balkanweb/