Sipërmarrjet e vogla janë shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe shërbejnë si alternativë punësimi, vetëpunësimin.
Megjithatë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13 për qind. E thënë ndryshe 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë.
Rënia e fortë e tyre, një vit pas aksionit antiinformalitet (në 2015-n u formalizuan rreth 30 mijë biznese, kryesisht të vogla) tregon se subjektet e vogla nuk i kanë rezistuar.
Sipas “Monitor”, vetëpunësimi në sektorin e tregtisë u tkurr me 16 për qind.
Në këtë sektor rreth kishte 8,900 të vetëpunësuar më pak se një vit më parë. Në total i gjithë grupi i prodhuesve të shërbimeve numëronte mbi 13 mijë më pak të vetëpunësuar. Rënie të vetëpunësimit ka pasur edhe tek ofruesit e shërbimeve, me rreth 2,200 më pak të vetëpunësuar.
Sektori i tretë më rënien më të lartë në kategorinë e prodhuesit të shërbimeve ishte sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me rreth 1900 të vetëpunësuar më pak.
Megjithatë sipas sondazheve, sipërmarrjet e vogla kanë nisur që të ndjejnë krizën për disa arsye: që nga shtimi i konkurrencës, formalizmi dhe fuqia më e ulët blerëse.
Nga rezultatet e sondazheve, 60% e bizneseve të anketuara mbi arsyet e mbylljes operonin në sektorin e tregtisë me pakicë (dyqane ushqimore apo të veshjeve) dhe në sektorin e shërbimit (bar-kafe). Nga 300 biznese shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41% e totalit.
Në 1 prill pritet të hyjë në fuqi ulja e kufirit të regjistrimit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë.
Në këtë mënyrë, edhe bizneset që kanë një qarkullim ditor minimal prej 5,500 lekë në ditë do të jenë të detyruar të futen në skemë. Përveçse do t’u rriten koston e mbajtjes së kontabilitetit, në rast se nuk do të arrijnë të transferojnë TVSH-në në çmim (për shkak të konkurrencës), atëhere ata do të përballen me rënie të fitimeve.
Shumë biznese kanë paralajmëruar se fitimet e tyre janë minimale dhe nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë një rritjeje të kostove.