Në mbledhjen e parë të saj, qeveria “Rama 3” duket se ka institucionalizuar atë që po trumpetohet prej vitit 2017 si “bashkëqeverisje me qytetarët”. Në funksion të kësaj, Këshilli i Ministrave ka mituar një projektligj “Për bashkëqeverisjen”. Tashmë ajo që konsiderohej thjeshtë një platformë dixhitale- informuese “Për Shqipërinë që duam”, kthehet në një ligj.
Do të jetë një strukturë në varësi të Kryeministrit Rama, e cila do të jetë në formën e një agjensie, në krye të së cilës do të ketë edhe një drejtor të përgjithshëm të Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Do të jetë me statusin e personit juridik dhe drejtori i përgjithshëm do të emërohet e shkarkohet nga Kryeministri i vendit.
P R O J E K T L I GJ
PËR
BASHKËQEVERISJEN
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”, si dhe organizimin e funksionimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
Neni 2
Qëllimi
1. Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kushtet për bashkëqeverisje me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore, përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.
2. Ky ligj ka për qëllim të nxisë ndërveprimin ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, organizatave të shoqërisë civile, pavarësisht formës së tyre të organizimit, si dhe tregtarëve, shoqërive tregtare dhe çdo subjekti të së drejtës që kryen veprimtari tregtare me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe ndërmarrjen e nismave, të projekteve ose të programeve të përbashkëta që kanë si qëllim përfshirjen e qytetarëve në bashkëqeverisje përmes platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.
Neni 3
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet nga institucionet e administratës shtetërore, nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
2. Ky ligj zbatohet edhe nga entet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore që, në përputhje me legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e tyre, lidhin marrëveshje me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje sipas parashikimeve të këtij ligji.
Po ashtu, ditën e sotme, qeveria ka marrë edhe një tjetër vendim, këtë herë me impakt tek mediat por edhe informimi i publikut përmes burimeve zyrtare, të mirëkontrolluara dhe të administruara sërish nga një strukturë në varësi direkt të Kryeministrit Rama.
Agjensia e re, e krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave do të quhet “Agjensia për media dhe informim”. Ajo dë të ketë një strukturë të mirëfilltë, në krye të së cilës do të jetë një drejtor i përgjithshëm, i cili emërohet, lirohet e shkarkohet nga Kryeministri.
Agjensia do të ketë përfaqësues në të gjitha institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave dhe do të ketë statusin e personit juridik. Siç e thotë edhe paragrafi II i VKM- së, agjensia “organizon punën për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median” dhe “organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik”. Pak e shumë, si një ministri propagande e pashpallur në varësi të kryeministrit Rama.
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUKSIONIMIN E AGJENCISË PËR MEDIA DHE INFORMIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe fuksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim (më poshtë “Agjencia”) e njohur për publikun edhe si “Media and Information Agency – MIA”, si person juridik publik, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme.
3. Agjencia ka si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË
Agjencia ka këto përgjegjësi:
1. Organizon punën për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median.
2. Organizon punën për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet e qeveritare mbi çështjet me interes publik. /ShkodraWeb/