Ministrja e Shtetit për Mbështetjen e Sipërmarrjes, njëkohësisht deputete e Shkodrës Edona Bilali, ka vlerësuar maksimalisht kryeministrin Edi Rama që e bëri pjesë të kabinetit të tij qeveritar. Në një publikimim në faqen zyrtare në Facebook, kryetarja e PS- së për Qarkun Shkodër Edona Bilali, shprehet se “nëse e çon dikush në nivel tjetër Shqipërinë ai është vizioni i Kryeministrit”.
Po ashtu, Bilali e konsideron si më komodin të mundshëm postin që i ka besuar kryeministri Rama. Ajo madje e konsideron vijimësi të asaj që ka bërë me sipërmarrjen në 8 vite. Në këtë publikim të radhës së Bilalit, sërish asnjë fjalë, asnjë rresht për Shkodrën. Madje, siç mund ta konstatoni edhe në foton më poshtë, mungon edhe hashtagu i saj i njohur #EdonaShkodren. Mesa duket, më shumë se si përfaqësuese e Shkodrës, tashmë Bilali shprehet publikisht si antare e qeverisë “Rama 3”, duke i parë çeshtjet nga niveli kombëtar e jo më lokal apo rajonal.
PUBLIKIMI I EDONA BILALIT
Si shkodrane udhëhiqem nga fryma e opozitarizmit, ndërkohë që vendi punës më kërkon që të jem avokati i sipërmarrjes përballë administratës publike. Me besimin e plotë që nëse e çon dikush në nivel tjetër Shqipërinë ai është vizioni i Kryeministrit nuk mund të isha në një pozicion më komod për të vazhduar të bëj atë që kam bërë me sipërmarrjen këto 8 vite, të sjell ndryshimin që bizneset kërkojnë me ritmin që ato e presin.