Në gjithë këto vite që TV Klan ka filluar të transmetojë filma turq, nuk i kam ndjekur, me përjashtim të ndonjë filmi historik si p.sh. “Sulltanesha Kosem”, të cilin po e ndjek për herë të dytë, për të kuptuar më mirë ligjet, psikologjinë dhe kulturën e qeverisjes së shtetit otoman të Sulltanëve.
Përveç anës artistike të realizuar (regji, skenografi, kostume, lojë, muzikë) nga ky film mund të heqësh paralele me 100 vitet e shtetit shqiptar, i cili megjithëse fitoi pavarësinë, kurrë nuk u shkëput nga mentaliteti otoman i qeverisjes dhe kultura Sulltanore, antidemokratike e eleminimit (fizike ose jo) në asnjë nga regjimet që ka kaluar, mbretëri dhe enverizëm me koperturë komuniste, pseudo – demokraci, ndaj ende edhe sot e kësaj dite vazhdon të administrohet në çdo qelizë të tij me të njëjtin mentalitet e të njëjtat metoda, ndryshon vetëm luku, koha dhe vendi i veprimit.
Mentaliteti i personazheve të këtij filmi ka qenë dhe është i gjallë e i ulur këmbëkryq në çdo aspekt të jetës sonë, kudo ku merren vendime. Klani, pushteti absolut e familjar, intriga, mizoria, pabesia, krimi, urrejtja, hakmarrja, zilia, dhuna, eliminimi, cinizmi, pafytyrësia, tradhëtia, përbuzja, nënshtrimi, verbëria, lëpirja karshi padronit të radhës, goditja pas shpine, janë emëruesi i përbashket në të dy epokat.
Kjo në të njëjtën kohë tingëllon shumë qesharake e karnavaleske kur bëhet fjalë për dy kohë e vende të ndryshme, me një diferencë prej 400 vjetesh.Tablloja bëhet me e plotë kur mendon se shqiptarë që kanë jetuar e studiuar në Europën demokratike, në atdhe sillen e veprojnë si otomanët e 400 viteve të shkuara. O Shqipni e mjera Shqipni. /Nga Nikolin GURAKUQI, publikuar në Facebook/