Një shqiptar ka tentuar të vrasë ish- bashkëshorten e tij 40-vjeçare duke e qëlluar me armë, por fatmirësisht gruaja nuk u prek nga plumbat.
Ngjarja ndodhi dy netë më parë në Ponte Milvio, në Romë, ku ish-çifti ndodheshin në një klub mes Flaminias dhe Rianos, ku pas një debati në ambientet e jashtme të tij, burri mori armën në makinë dhe qëlloi drejt saj. Plumbi ka dëmtuar xhamin e një lokali, i cili në atë moment ishte i mbyllur.
Burri me origjinë shqiptare dhe bashkëpunëtori i tij janë larguar me makinë ndërsa gruaja e shoqëruar nga kunati ka lajmëruar menjëherë policinë. Bashkëpunëtori u arrestua në zonën e Battistinit, ndërsa 38-vjeçari u kap në një shtëpi në Selva Candida.
Oficerëve iu desh të hynin nga dritarja dhe e gjetën burrin të fshehur në një dollap. 38-vjeçari, ishte arrestuar njëherë në vitin 2021 për keqtrajtim të ish-bashkëshortes dhe për dëmtimin e makinës së kunatit të saj. Në gjendje të lirë do të hetohet bashkëpunëtori i tij.
Mediat vendasve e paralelizojnë ngjarjen me atë të një jave më parë ku pas një sherri jashtë restorantit në Tuscolano, humbi jetën avokatja Martina Scialdone, ndërsa ish-partneri i saj u arrestua për vrasjen.