Jam i bindur se në shumë kancelari që merren me integrimin tonë demokratik, kanë të dhënat e duhura dhe sigurisht eksperiencën e madhe të shtet-formimit të Shqipërisë. Autoriteti i shtetit në liri – është pamundësia më e madhe shoqërore e jona dhe fatkeqësi kombëtare! Sundimtarët, kapadainjtë dhe të korruptuarit nuk ndalen asnjëherë në arrogancën e tyre në Shqipëri! Por të huajt e dinë dhe kuptojnë qartë se edhe zhvillimi kulturor dhe politik i shoqërisë shqiptare është shumë i ulët dhe “divers filozofikisht” nga i tyri! E kanë studiuar dhe kanë vepruar me vite e vite, herë për të mirën dhe herë për të keqen tonë! Sot jemi në modelin integrues tonin dhe askush nuk do prej tyre realisht “një shtet pa shtet”, një shtet, që nuk ka ligjin në zbatim dhe një shtet që politika dhe kriminelët rreth saj – bëjnë ligjin dhe nën hundën dhe sytë e ndërkombëtarëve! Në sy të tyre pra! Të mos harrojmë diçka: Nëqoftëse themi një Shqipëri me shtet të dobët, me korrupsion dhe kanabis, me banda mafioze dhe inkriminim të shoqërisë – fajin e mbajnë dhe ndërkombëtarët miq tanë të huaj, që vazhdojnë të tolerojnë këtë tragjedi! Me sa duket, ju është sosur durimi – po po, ju ka mbaruar dhe një pjesë e shikojnë te zoti Lu, por ky durim i humbur u duk më tepër të zonja Vllahutin (ajo dhe akuzohet nga segmente humbëse pushteti) e cila tha gjënë më të rëndësishme dhe të rëndë për ne: shesin vendin për shtëpinë personale të tyre! Kjo është esenca e shqiptarit në politikën e qelbur të ditëve të sotme dhe të djeshme këto pothuaj 30 vite! Janë munduar (të huajt) 27 vite dhe kanë rritur gjembaçë politikë, por kanë lejuar dhe lulëzimin e organizmave kriminalë që bllokojnë dhe i imponohen shtetit! Të gjitha këto në saj të disa politikanëve “peshq të mëdhenj” që kanë shitur interesat e Shqipërisë për pasurimin personal dhe familjar të tyre. Kjo është mafia e vërtetë e Shqipërisë! Dakord, por është shumë më e pandershme se mafia klasike, e cila ishte familjare, por nuk kishte punë të përfaqësonte popullin dhe të ishte kryeministër apo me poste lart e poshtë! Te ne po – banda sunduese kriminale e organizuar është një ngatërrim gangsterësh politikë me ata ordinerë!
Të huajt janë dorëzuar në besimin e tyre se ne të vetëm mund të bëjmë shtet! Një gjë të mirë ja di mënyrës qeverisëse të Ramës dhe kjo është: i bindën të huajt (USA dhe BE) që shteti në Shqipëri, por kryesisht në shoqërinë shqiptare, nuk bëhet as nga poshtë, as nga klasa politike e shqiptarëve, as nga shtresa e mesme në shoqëri! Shteti në këtë vend të shkretë për “mend” dhe i pasur në natyrë – bëhet dhe funksionon, vetëm nga shumë lart ose të huajt që na duan të mirën! Fatmirësisht sot kemi të huaj që vërtetë e duan këtë “gjynahqar popull”, i cili nuk është i zoti të ndërtojë shoqërinë, e cila pastaj të lëvizë politika dhe elita politike, për të ndërtuar shtet! Përfundimisht nuk është i zoti jo thjesht populli, por shoqëria! Gjithmonë dhe kur është ngritur, i ka bërë dëm vetes! Prandaj me sa duket USA dhe BE kanë vendosur të ndërtojnë rendin në fillim dhe zhdukin kapadaillëkun e bandave dhe banditëve, deri te peshqit e mëdhenj! Me sa duket i besojnë Fatmir Xhafës dhe padyshim duan që mjetet e tyre, specialistët e tyre, praktikat e tyre, modelet e tyre dhe besimi te një dorë e të besuarve të tyre te ne – do të fillojnë vendosjen e rendit dhe pastaj premisat për shtetin! U kuptua qartë dhe mirë, se çfarë gabimi i madh ishte veprimi me një 34 vjeçar dikur i emëruar ministër i Rendit! Loja me të vegjël (moshë dhe eksperiencë) të tillë në Ministrinë e Brendshme, ishte një jo urtësi e qartë si drita e diellit sot, por që nuk është se nuk dihej që ditën e parë dhe dje! Po po, por e ka çuar keq situatën ky moment, jo për marrëzitë që nxjerr nga goja opozita e lepujve të murrmë në Shqipëri – por për faktet, që kuptohen mirë për “peshën e lehtë” të një drejtimi jo profesional të MB!
Sot MB-ja kërkon ndihmë e para dhe duhet kthyer e para për mirë me fytyrë nga perëndimi! Është e vështirë, por asnjëherë e pamundur! Padyshim aty duhet të fillojë dhe sigurisht ndërkombëtarët janë të bindur se aty fillohet dhe ngritja e shtetit dhe modeli i ndihmës së tyre, e cila mund të jetë disi e “dukshme si ndërhyrje” por e domosdoshme dhe e mirëpritur realisht nga ato që i duan të mirën Shqipërisë dhe duan të ndërtojnë shtetin! Shteti ndërtohet dhe nuk vizatohet (pikturohet), ai nuk mund të ndërtohet nga njëzet vjeçarë, apo nga njerëz që nisin punë si ministër! Mos t’u vijë keq as burrave dhe as grave që kujtojnë se janë të zot, por janë thjesht një katapultim interesash. Të tillë individë nuk ndërtojnë shtet, sepse nuk kanë as eksperiencë, as ideal dhe as dëshirë në fund fare! E kanë nisur (Majko dhe Iliri Meta dhe kanë bërë dhe punë relativisht të mirë) punën si kryeministra – por ja që dhe sot e kësaj dite, nuk kanë ndërtuar shtet, sepse përndryshe nuk do të ishte ky hall! Ai nuk është ndërtuar dhe ka degraduar akoma më shumë dhe nga ruralizmi sundimtar i Berishës, por sidomos atëhere shtet ligjor dhe demokratik nuk ka qenë kurrë! Dakord! Është proces e sigurisht do kohë – por tashmë duhet të pranojmë se “na duhen të huajt që të ndërhyjnë në formimin dhe konsolidimin e shtetit, me anën e zbatimit të ligjit dhe raportit të tij me krimin dhe shoqërinë!
Gjithmonë i jam referuar periudhës së Gjeneralit Trollman në kohën e pushtimit austriak për krijimin e bazës së shtetit ligjor ndër shqiptarë?! Jam i sigurtë që është pushtim, por jam shumë i sigurtë, se nuk do të qëndronte i tillë dhe se kishte në veprimet e tij në Shqipëri dëshirën të ndërtonte organizmat e shtetit të shqiptarëve – ndryshe nga modeli i fundit otoman që kishte pasur si pushtues! Korps/armata e Trollman, kanë vepruar si qendër në Shkodër dhe unë kam shkrime të tjera për shtet formimin, institucione, xhandarmarinë, rrugët, shkollat dhe shumë të tjera, por sot do tregoj ose mundohem të bëj një paralele (sigurisht jo të saktë këtë paralele, sepse njëri është pushtues dhe pse mirëdashës dhe miqtë tanë të huaj janë partner të vërtetë) mes ndërhyrjes së partnerëve tanë të huaj dhe Trollmanit. Gjëja e parë e Trollmanit ishte çarmatimi! Mblodhi jo vetëm krerët e malësive, por dhe priftërinj e hoxhallarë, si dhe sundimtarë e trima nga të katër anët! Ju tha: Armët do të dorëzohen se rendin e ruajmë ne, kurse nga armiku do të mbroheni në ushtrinë tuaj dhe xhandarët e stërvitur nga ne! Janë arrestuar shumë syresh se hynin me armë në pazar të Shkodrës apo në qytet e qendra lokalitetesh! Ndaloi gjakmarrjen! Me urdhër dhe vendime, por dhe duke ashpërsuar shumë kontrollet ku gjente vend gjakmarrja ndër shqiptarë! Futi në burg trima që kishin vrarë dhe trima që merrnin gjak! Disa prej tyre dhe u varën në periferi të Shkodrës, për krimin e kryer për gjak dhe për armën pa leje! Po po ashpërsi, por rendi u vendos dhe filluan shkollat kudo! Imagjinoni fletushkat dhe urdhërat kush nuk dorëzonte armët se çfarë paralajmëronin: Me ndollë qi t’dhânunt e armve gjênë ndonji kundershtim, Komanda ka me diejt me kërkue e me ndëshkue gjith ata qi shkajktojn ket kundershtim. Kush, mas katër javësh, xehet se baan armë, paa dorë t’Komandës, bâhet fajtuer e e xên ligja ushtarake?! Po në origjinal dhe shprehja! Vendet e dorëzimit ishin kudo në zonë pushtimi, por më problematikët ku dorëzoheshin ishin: Shkodra, Bërdica, Prekali, Abati, Bunjaj, Puka, Oroshi, Kulla e Lumës, Lezha, Kruja, Burgajeti, Peshkopia, Durrësi, Tirana, Shën Gjergji, Elbasani etj etj.
Mirëpo historia më e bukur është si veproi me Bashkinë e Shkodrës nga viti 1916! Qyteti kishte korrupsion të madh në dogana, institucione dhe askush nuk mund të garantonte një institucion që kishte buxhet dhe mos vidheshin paratë! Gjeneral Trollman lejoi zgjedhje të lira për këshillin bashkiak dhe indikoi njerëz të besuar, por në përgjithësi bashkia u zgjodh dhe ai vendosi kryetar bashkie Musa Efendi Jukën! Ishte shumë kohë e vështirë, por shkodranët ishin mësuar tashmë prej tre vitesh me administrimet e të huajve! Shkodra është qyteti që është administruar më gjatë nga të huajt, në atë periudhë të rrezikshme! Xhandarmarinë dhe taksat apo dhe energjinë i mbajti vetë! Çfarë ndodhi mbasi filloi puna e vërtetë? U shpartalluan menjëherë të gjithë sharlatanët e regjimit të vjetër, por u mbajtën profesionistët e ligjit! U futën në burg për “vjedhje të buxhetit të bashkisë” mbi 14 persona, të cilët u kapën keq si në defterët dhe në prezantim të pasurisë së shkatërruar të zyrës! U futën në burg doganierët dhe disa drejtues bankash si matrapazë dhe thyerës së ligjit, por dhe shumë tregtarë të cilët i ishin përvjedhur, jo vetëm taksës, por kishin dhe rritur çmimet në mënyrë të jashtëzakonshme! U goditën ashpër kontrabandistë e shumtë në liqen dhe brigandë – banditë armësh dhe vjedhjesh kryesisht në pazarin e Shkodrës! Numri i të arrestuarve në vitin 1916 kaloi shifrën 160 persona vetëm në Shkodër?! Nëpunës të shtetit, bankierë, avokatë që kishin bashkëpunuar kundër ligjit me kriminelët, u vendos dhe prokuroria ushtarake dhe u ngrit një legjislacion i shkurtër, që plotësonte kërkesat e vakumit ligjor në atë kohë! Tentoi të bënte numërimin e popullsisë dhe padyshim u ngritën institucionet me model perëndimor kryesisht austriak. Çfarë po tentojnë ndryshe të huajt sërish te ne?! Xhandarët e asaj kohe dhe serioziteti në rend dhe disiplinë, kanë qenë shembull dhe për xhandarët më vonë! Grabitje të shtetit dhe për vjedhje nga taksat nuk guxonte më njeri! Nuk mund të bënin më kërcënime dhe as të luanin të fortët, si ata të qytetit dhe të ulurit nga mali – sepse xhandari dhe rendi bënin punën e tyre! Kaq, asgjë më tepër nuk duhet dhe sot! Mbase sot vërtetë u bindën të huajt se “shteti në Shqipëri bëhet shtet vetëm nga shumë lart” më lart se shqiptarët që janë lart, por lart që do të thotë nga të huajt miqtë tanë! Mbase them – dhe ky është moment që e kalojnë të gjithë në kokë!