Zëdhënësja e komisionit qendrorë të zgjedhjeje në një deklaratë për mediat ka deklaruar se mbrëmjen e ka përfunduar procesi zgjedhor. Ajo ka deklaruar se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 22.9% dhe se 812 mijë e 249 votuan për zgjedhjet lokale. Sakaq, tre dite me pare, KQZ deklaroi ne shifrat paraprake se pjesemarrja e votuesve ishte 20.6%. Deklarata e plote ditën e sotme: Mbrëmë, rreth orës 24.00, ka përfunduar procesi i numërimit dhe tabulimit të rezultateve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas të dhënave paraprake të raportuar nga KZAZ-të në sistemin elektronik të të dhënave të KQZ-së, rezulton se kanë marrë pjesë në votime 812.249 zgjedhës, ose 22.97 % e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016. Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për Kryetar bashkie është 765.825 ndërsa për këshill bashkiak, 760.933. Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986. Në këto të dhëna mungojnë numri i fletëve të votimit të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar. Tabulimi i rezultatit këtë herë është mbyllur brenda 48 orëve nga momenti i mbylljes së votimit.
Mënjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit dhe miratimit me vendim të tabelës së rezultateve nga KZAZ-të për zonat përkatëse të administrimit zgjedhor, KZAZ-të kanë nisur dorëzimin në KQZ të kutive të votimit dhe kutive me materialet zgjedhore, sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Ky proces vijon edhe ditën e sotme pasi volumi i materialeve zgjedhore është i konsiderueshëm. Gjithashtu, KZAZ-të kanë dorëzuar në KQZ tabelat e rezultateve të zonave të administrimit zgjedhor së bashku me tabelat e rezultateve të nxjerra nga grupet e numërimit të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me administrimin e mëtejshëm të procesit, sipas hapave dhe procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, deri në përfundimin e tij.
Sipas ligjit, për 51 bashkitë e administruara nga një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon nga data e miratimit të vendimit për nxjerrjen e rezultatit nga KZAZ. Ndërsa për 10 bashkitë ku procesi është administruar nga me shumë se një KZAZ, afati 5 ditor i ankimimit fillon datën e miratimit të tabelës së rezulateve nga KQZ.
Duke marrë shkas nga ambiguiteti dhe disa keqinterpretime që janë vërejtur këto ditë lidhur me shifrat paraprake që KQZ me të drejtë vlerësoi të publikonte për të informuar publikun e interesuar, theksojmë se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor.