Fethullah Gulen, një predikues islamik turk me ndikim, i cili besohet nga Ankaraja si organizatori i tentativës për grusht shteti kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan më 15 korrik 2016, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
Lajmi u publikua nga “Herkul”, një faqe e afërt me predikues, dhe u mor nga mediat kryesore turke. I njohur si kreu i lëvizjes FETO apo ndryshe “Gulen”, me shtrirje edhe në Shqipëri, Gulen vdiq në Pensilvani.
Aty jetoi pasi u transferua në SHBA në vitin 1999, pa u kthyer më në Turqi, raporton “La Repubblica”. Kreu i një vëllazërie fetare me miliona ndjekës, Gulen ishte fillimisht aleati i Erdoganit, por në vitin 2012 të dy ranë në konflikt dhe presidenti turk e akuzoi atë se kishte planifikuar grushtin e shtetit të 2016-ës.
Kreu i lëvizjes FETO, Fethullah Gulen, dikur ka qenë edhe aleati i presidentit Erdogan, derisa lëvizja e tij mori rrjedhë tjetër dhe u shpall organizatë terroriste nga Ankaraja.
Lëvizja e tij u bë ‘mollë sherri’ edhe në Shqipëri, deri edhe tek përurimi i xhamisë së madhe të Namazgjasë ditë më parë, ku u desh që në ceremoni të mos merrte pjesë kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, pasi cilësohej si pjesë e lëvizjes “guleniste” dhe të zëvendësohej nga myftiu i Tiranës.