Për herë të fundit u shfaq publikisht me vendosmërinë e tij në mbrojtjen e pronave dhe të drejtave të pronarëve të Velipojës, në një takim në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Ashtu siç edhe gjatë gjithë jetës së tij, nuk ngurroi të flasë hapur, të shprehë pakënaqësitë për planin e zhvillimit turistik të zonës së Rrjollit në Velipojë. Ai fliste atë që do të donin të thonin të gjithë pronarët në atë sallë. Por kishte aftësinë dhe përgatitjen që të artikulonte ai, më mirë se askush tjetër.
Sot Gjovalin Zekaj nuk është më mes nesh. Lajmin për ndarjen nga jeta, në moshën 65- vjeçare, e kanë përcjellë të afërm e miq të Gjovos, siç e thërrisnin të gjithë. Është gati aksiomë që për njerëzit që largohen nga kjo jetë, të fliten vetëm fjalë të mira. Por për Gjovon nuk ka nevojë për shumë fjalë, janë arkivat e mediave vendore e qendrore, faqet e gazetave e portaleve, që mund të flasin për aktivitetin e tij, të paktën këto 30 vitet e fundit.
Ishte mjaft aktiv në zhvillimet e këtij vendi në këto tre dekada. Nuk ngurroi të angazhohej politikisht në publik, të mbështeste dhe të përhapte kauza tek të cilat besonte. Nuk ishte thjeshtë dhe vetëm dëshira apo pasioni i tij. Ishin vetë kandidatët apo subjektet politike që e kërkonin, sidomos për zonën e Velipojës. Nuk ishte asnjëherë fanatik partiak, “ushtar” i një partie të caktuar. Artikulonte mirë para publikut, ishte bindës dhe ngjallte besim tek njerëzit, të cilët në jo pak raste, devijonin votën e tyre pikërisht aty ku ishte pozicionuar edhe Gjovoja.
“Kali i tij i betejës” ishte mbrojtja e pronave dhe interesave të pronarëve autoktonë në zonën e Velipojës. Ai ishte zëdhënës i këtyre interesave përmes mediave por edhe përfaqësimit direkt të qytetarëve në pushtetin vendor. Nuk rreshti për asnjë moment në këtë mision. Nuk u kthye asnjëherë pas edhe pse u përball me situata aspak të këndshme pikërisht për këtë shkak.
Ashtu siç ndodh me çdokënd, Gjovoja në jetën e tij, mbështeti individët apo kauzat e gabuara. Jo krejt për faj të tij, por në mirëbesim apo edhe si bindje e momentit. Por ndryshe nga shumëkush, ai pati guximin ta prononte këtë, në jo pak raste edhe publikisht, duke i shtuar vlera personalitetit të tij.
Jo rrallë herë, kur takoheshim, diskutonim apo debatonim. Kishte durimin të dëgjonte deri në fund, jepte argumente dhe nëse e ndjente apo konstatonte se kishte të drejtë, tërhiqej por me shumë stil.
Nga sot Gjovalin Zekaj nuk është më. Familja humbi njeriun e dashur, të afërmit, miqtë e shokët e tij, do ta ndjejnë mungesën e tij. Por Velipoja, pronarët e tokave në atë zonë, humbën mbrojtësin, shprehësin e zëdhënësin më të fuqishëm të këtyre 30 viteve. ShkodraWeb Media i shpreh ngushëllimet e veta familjes Zekaj për humbjen e njeriut të tyre të dashur! Pushofsh në paqe Gjovalin Zekaj. /ShkodraWeb Media/