Në Piacë të qytetit të Shkodrës, 13 vjet më parë, do të vritej për gjakmarrje pastor Dritan Prroj. Një ngjarje që tronditi, sepse po vritej një njeri që kishte marrë përsipër të përhapte fjalën e Zotit.
Dritani la pas bashkëshorten Elona dhe dy fëmijët e tyre të mitur, një vajzë e një djalë. Ndërsa kanë kaluar shumë vite, fëmijët janë rritur, bashkëshortja Elona vazhdon ta përkujtojë pastorin në çdo përvjetor. Edhe ky vit, nuk bëri përjashtim.
“13 vite i shkuar në lavdi e duken si 100. Nuk ka fjalë që të mund të shprehim mallin që kemi. Koha nuk i lehtëson gjërat, i bën thjesht ndryshe.
E ndërsa vrapojmë garën tonë të jetës, po rendim për të dëshmuar për fuqinë e gjakut për të restauruar, çliruar dhe falur shumë të tjerë. E unë zgjedh sot të jem mirënjohëse për shembullin e besimit dhe trashëgiminë që na ke lënë që të kushtoi jetën.
Jemi falenderues Jezusit për prezencën dhe hirin e Tij në luginën e vdekjes dhe për shndërrimin e një tragjedie në një farë që jep shumë fryt. Shumë mall derisa të takohemi sërish…”, shkruan Elona, e cila tashmë vazhdon rrugën e bashkëshortit, duke patur si prioritet edhe frenimin e gjakmarrjes. /ShkodraWeb/