Nuk është thjesht një hipotezë, Liridon Latifi mund të quhet goditja më e madhe e Vllaznisë në merkaton e verës. Edhe pse mbetet për t’u hedhur vetëm firma nën kontratë dhe pastaj të bëhet prezantimi i sulmuesit të krahut me fanellën kuqeblu, sot klubi mund të zyrtarizojë marrëveshjen, pasi Latifi pritet të mbërrijë në Shkodër për të diskutuar detajet e fundit.
Lajmin e konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë futbollisti që shkëlqeu në kampionatin shqiptar me Skënderbeun dhe më pas fitoi një vend në Kombëtare.
“Po, jemi shumë afër marrëveshjes. Megjithatë, zyrtarisht nuk është ende asgjë e kryer”, ka sqaruar dje për gazetën 27-vjeçari nga Prishtina.
Latifit i ka përfunduar kontrata me FC Pushkash Akademi dhe vjen në Shkodër si lojtar i lirë. Klubi hungarez shpenzoi për blerjen e kartonit të kosovarit nga Skënderbeu katër vite më parë rreth 900 mijë euro.
Në dy kampionatet e fundit sulmuesi i krahut ka pasur pak hapësira te hungarezët, madje duke përfunduar te skuadra e dytë e Pushkash. Në vitin 2019 u huazua te kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspol, por edhe me këtë të fundit u aktivizua vetëm 11 ndeshje. /Nga Admir URUÇI/