Ilir Meta e ka pasur një talent si politikan, që e veçonte nga bashkëmoshatarët që i hynë politikës pas viteve ‘90. Ai ishte edhe i ngjashëm me liderë si Berisha Rama për sa i përket ambicies për të qenë i parë dhe për të vënë interesin e vet përmbi çdo gjë, por edhe i ndryshëm sepse dukej më realist dhe më i aftë për të dëgjuar të tjerët, autoritar më me takt se ata, gjithashtu. Ky talent u shfaq mbi të gjitha në aftësinë që tregoi për të krijuar nga zeroja një parti me peshë në lojën politike.
E vërteta është se përveç këtyre aftësive e ndihmuan edhe disa rrethana. Për shkak të Nanos më herët dhe të Ramës më pas ai mundi të tërheqë rreth vetes mjaft figura socialistësh që e panë se në një PS gjithnjë e më të kapur nga njerëzit e paskrupullt ose do të hiqeshin qafe krejt ose do të depersonalizoheshin edhe më. Po ashtu atë e mbështetën shumë socialistë që u zhgënjyen me Nanon e korruptuar, por që kurrsesi nuk mund të shkonin te Berisha. Sigurisht e ndihmoi edhe fakti se, duke pas qenë Kryeministër, kishte krijuar një rrjet të vetin, madje, sipas gojëve të liga, kishte siguruar edhe mjaft para që i futi në punë sepse, le të mos harrojmë se Nano e rrëzoi Metën Kryeministër pikërisht me akuzat për korrupsion.
A mjaftonte kaq për të krijuar një parti të re që do të mund të konkurronte me dy partitë e mëdha? Koha ka provuar se jo. Një nga arsyet kryesore është sepse një parti duhet të jetë edhe një lloj kishe a xhamie laike rreth të cilës mblidhet një komunitet. Njerëzit duhet të besojnë në të edhe mbi bazë vlerash shpirtërore, shpresash e idealesh të përbashkëta, përkatësie të përbashkët klasore, apo edhe thjesht trashëgimie historike. Ky dimension i ka munguar Ilir Metës dhe partisë së tij ose më saktë ai s’ka ditur apo s’ka mundur ta ndërtojë, dhe as nuk e ka trashëguar. Sepse, ndryshe nga LSI, pema e Partisë Socialiste, përtej degëve të reja gjithnjë e më të fuqishme të njerëzve të krimit e korrupsionit, ka trashëguar edhe ndoca “rrënjë” të “rrapit” të vjetër d.m.th. ish-komunistë nostalgjikë që shohin tek ajo partinë e Enver Hoxhës, apo forcën që mundi t’i kundërvihej Berishës që kërkonte t’u shkatërronte edhe mitin e Luftës e t’i nxirrte jashtë loje duke i akuzuar për të shkuarën. Po ashtu PD-ja, përveç degëve të saj të krimit e korrupsionit (sot të dobësuar shumë për shkak të mungesë së pushtetit), ka ruajtur edhe ajo do rrënjë që të çojnë tek e kaluara antikomuniste e shumë prej mbështetësve të saj që votojnë kundër Partisë Socialiste sepse shohin tek ajo persekutorët e tyre të djeshëm.
Kurse Ilir Meta dhe LSI-ja e tij nuk i kishte këto rrënjë. Nga rrënjët e vjetra të partisë mëmë ai tentoi të merrte komunistët e Skraparit, bazuar mbi ndjenja krahinore dhe nderet që u kishte bërë kur qe Kryeministër i PS, por pas koalicionit me Berishën më 2009 e humbi edhe këtë shans, bashkë me ambicien që të rimerrte PS-në. Kështu LSI-ja mbeti një parti “pragmatiste”, siç i pëlqen Metës ta cilësojë, duke keqpërdorur konceptin e pragmatizmit, pasi ai nënkupton një ide të suksesshme për shoqërinë dhe jo manovra për t’u fuqizuar e pasuruar Ilir Meta me shokë në kurriz të shoqërisë. Si e tillë, veçanërisht pasi u lidh me PD-në në 2009, LSI-ja mori gjithnjë e më shumë tiparet e atyre bimëve kacavjerrëse që në vend të rrënjëve kanë ventuza me të cilat u ngjitën trungjeve të pemëve të mëdha.
Duke dashur ta justifikojë shkacavjerrjen e tij nga njëra pemë në tjetrën Meta ka thënë se ai ka ruajtur stabilitetin e vendit. Në fakt, më së pari, ai ka gjetur mënyrën më efikase për të mbajtur gjallë e rritur anëtarësinë e partisë së tij, pa rrënjë dhe pa ideale, në një Shqipëri me njerëz gjithnjë e më të varfër shpirtërisht e intelektualisht. Për sa i përket pretendimit të “stabilitetit” do të thosha se partia e tij ka funksionuar, siç e kam quajtur në një shkrim të vitit 2014, më shumë si “shtylla e sistemit” të partito/ bandokracisë. Kjo në dy kuptime: njëri negativ e tjetri pozitiv. Negativ sepse ajo po stimulonte sistemin të zhveshur nga idealet dhe, e legjitimonte atë, duke dhënë iluzionin e rotacionit dhe ndryshimit pa ndryshuar asgjë. Pozitiv, sepse duke u thithur një pjesë të lëngut pemëve të mëdha nuk i linte ato të fuqizoheshin aq shumë duke penguar kështu rrëshqitjen e parti/bandës qeveritare të radhës në autoritarizëm e autokratizëm ekstrem.
Por, në artikullin në fjalë, që u shkrua në kulmin e pushtetit të tij, kur festoi ditëlindjen me 600 të ftuar nga PS-ja dhe PD-ja bashkë me gazetarë e intelektualë përkatës, kam bërë edhe një parashikim. Aty shkruaja se, “paradoksalisht, Ilir Meta është edhe njeriu më i dobët i Shqipërisë pikërisht pasi është njeriu më i fortë”. Këtë e shpjegoja me faktin se në të dy krahët e Ilir Metës qenë dy parti që, për të fituar simpatinë e munguar të shumicës së shqiptarëve, do ta sulmonin atë, kur të binte sistemi, për të larë duart e tyre të pista. Ju kujtoj se PD-ja kishte filluar ta përgojonte LSI-në si shkakun e humbjes së zgjedhjeve të 2013-ës, me demek se ishte aleanca me një parti të korruptuarish, si ajo e Ilir Metës, që kishte prishur edhe imazhin e PD-së së pastër me Saliun, njeriun e ndershëm, në krye të saj. Në anën tjetër, kishte filluar të rritej numri i atyre socialistëve që, kur flisnin për Edi Ramën, njeriun që me idealizmin e tij punonte vetëm për historinë, alibinë e mashtrimeve të tij të përditshme, e gjenin te “ventuzat” e partisë së Ilir Metës.
Në këtë lojë i vetmi që s’dukej të kishte shans të ndahej nga sistemi, sepse kishte qenë me të dyja partitë e mëdha kundërshtare në pushtet, qe “shtylla e tij”, Ilir Meta. Them se parashikimi im u vërtetua vetëm pjesërisht gjatë fushatës elektorale 2017, ku si PS-ja dhe PD-ja filluan, që të dyja, të sulmonin “shtyllën e sistemit”. Madje kulmin në këtë fushatë denigruese e arriti bashkëqeverisësi i katër vjetëve të fundit, Edi Rama. Pse them “vetëm pjesërisht”? Sepse sistemi i grabitjes së shqiptarëve nga partitë/banda nuk ka rënë. Sulmet e Ramës dhe Bashës ndaj Metës, si përfaqësues i sistemit të “tepsisë” apo “shushunjave” nuk erdhën pse këta panë fundin e tij, siç panë shumë ish-komunistë fundin e hoxhizmit dhe nxituan të bëhen demokratë duke demonizuar të tjerët. Rama e sulmoi sistemin duke i vënë emrin “tepsi” ku hante LSI-ja, sepse kërkonte të hiqte “ventuzat” e Metës që të fuqi zohej duke mbetur ngrënësi i vetëm. Basha e ndihmoi në këtë aksion, s’dihet saktë se pse (pasi marrëveshja e tyre ka qenë e fshehtë), por ndoshta duke menduar se kështu mund të mbetej skuadra e vetme rezervë e sistemit pas plakjes së lojtarëve të Rilindjes.
Por, edhe pse sistemi nuk ka rënë, diçka ka ndryshuar megjithatë. Më së pari është bërë e qartë natyra e tij ekstremisht e dëmshme. Mjaft të kesh parasysh se të tre palët e sulmuan në këtë fushatë duke ia atribuuar atë njëri-tjetrit. Fakti është se, siç e kam shkruar edhe në shkrimin para këtij për PD-në, edhe ato që i quajta “parti/pemë”, për lehtësi krahasimi, në fakt ka kohë që u ka rënë maska e partive me kujtesë historike, ideale, apo vizione të së ardhmes duke u kthyer thjesht në përbindësh kacavjerrëse me ventuza të stërmëdha të ngjitura në trupin e vendit në forma koncesionesh e tenderimesh korruptive si dhe lidhjesh me botën e krimit të organizuar. Në luftën midis tyre, edhe për shkak të etjes për pushtet, edhe për shkak se “ushqimi” po pakësohet përditë, edhe për shkak të mbështetjes miope ndërkombëtare Edi Rama ia arriti të mbetet përbindëshi i vetëm mbi shpinët e kërbunjura të shqiptarëve, shtylla e vetme e sistemit, në fakt vetë sistemi. Ilir Meta, pra, s’mund të quhet më “shtylla e sistemit” në të gjitha kuptimet që i dhashë. Projekti i shpallur i Ramës për bashkëqeverisjen direkt me popullin pa përfillur opozitën, mediat kritike, shoqërinë civile tregon se ai nuk ka nevojë për rolin që luante Meta me alibinë e rotacionit. Sipas gjykimit tim ky projekt nuk është gjë tjetër veçse mashtrimi i radhës që ka gjetur një nga krijuesit më agresivë të sistemit Rama, për ta mbajtur atë në këmbë të paktën edhe katër vjet.
Në këtë kushte LSI-ja, edhe pse mori një numër të konsiderueshëm deputetësh në sajë të dhjamit që kishte vënë kur ishte në pushtet, sot është çdo ditë e më shumë me “ventuzat” në ajër. Sot pyetja që shtrohet është: a mundet LSI-ja me burimet njerëzore që ka, d.m.th. njeriun që ndjek partinë vetëm për paratë, të ndërtojë një parti të majtë (siç vetëquhet pa qenë e tillë deri më sot) me rrënjët në tokë, d.m.th te shtresat më të brishta të shoqërisë, të kërkojë më shumë shtetin social, mbrojtjen e publikes nga agresioni i privates dhe të kontribuojë për shembjen e kësaj oligarkie të papërgjegjshme dhe kriminale? Apo gjethet e degët e saj të mbetura në ajër, pa ventuza të ngulitura në trungun e PS-së do të thahen e do të bëhen humus për ta ushqyer atë? Me “pesimizmin e intelektit” mund të them se gjasat më të mëdha janë që të ndodhë kjo e dyta sepse të besosh të kundërtën është sikur të besosh se një bimë kacavjerrëse mund të shndërrohet në pemë me rrënjë në tokë. Me “optimizmin e vullnetit” mund të them se s’duhet reshtur së kërkuari, qoftë edhe nga LSI-ja një mutacion i tillë (ashtu sikurse kërkova në shkrimin paraardhës kthimin e PD-së dëshpërimisht dëshpëruese në një parti të djathtë sociale). Kjo sepse vendi është në ditët më të errëta për sa i përket shpresës se këtu mund të mbesin për të jetuar njerëz normalë, që nuk jetojnë thjesht e vetëm për fitimin e parasë duke grabitur të tjerët dhe të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi, por që të kenë inteligjencë për të parë se ku po shkon ky vend në duart ku ka rënë, simpati dhe empati për të tjerët, aspirata për ta humanizuar këtë shoqëri./Panorama/