Mungesa e Ardit Krymit peshon shumë te shkodranët, për vetë pozicionin që ka në fushë shkodrani. Vllaznia nuk ka një tjetër mesfushor shkatërrues të mirëfilltë me karakteristikat e Krymit, por gjithsesi në këtë rol, trajneri Tomas Brdariç ka menduar që të plotësojë boshllëkun duke rreshtuar dyshen Jonuzi-Kaleziç.
Me skemën 4-2- 3-1, këta të fundit do të vendosen përpara mbrojtjes, për t’i dhënë ekuilibër skuadrës. Karakteristikat e tyre janë më tepër të mesfushorëve me tipare sulmuese, por gjithsesi Brdariç beson se mund t’i bëjë shumë mirë të dyja fazat e lojës.
Në krahasim me ndeshjen e parë, këtë herë do të marrin një fanellë titullari lojtarë si Viktor da Silva dhe Fahrudin Gjurgjeviç.
Vllaznia ka shtuar forcën sulmuese, ndërkohë që në majë do të luajë sërish boshnjaku Haris Dilaver. Në stol do të jenë të gatshëm Ardit Hoxhaj dhe Liridon Latifi.