Arrihet akordi me Abdurraman Fangajn. Në Vlorë e cilësojnë lojtar të Flamurtarit, pasi në parim gjithçka është mbyllur.Pasi gazeta zbuloi negociatat me lojtarin e Vllaznisë, lajmi tashmë konfirmohet edhe nga vetë klubi.
Në Vlorë presin vetëm që të përfundojë “Abissnet Superiorja”, që 24-vjeçari të marrë rrugën drejt qytetit bregdetar e të kryejë procedurat kontraktuale.
“Abdurraman Fangaj është lojtar i Flamurtarit. Gjithçka është mbyllur me shkodranin. Presim të mbyllet kampionati dhe ta zyrtarizojmë në Vlorë. Është e sigurt që do luajë me ne sezonin e ardhshëm”, tha dje për “Panorama Sport” një nga drejtuesit.
Mbrojtësi e ka nisur karrierën si profesionist te Vllaznia, por kulmin e pati ato katër sezone te Laçi.
Kuqezinjtë po presin edhe një nigerian. Për të nuk jepen shumë detaje, por e thonë me siguri që edhe me të e kanë arritur një marrëveshje paraprake.
Në dëshirën e Flamurtarit janë edhe disa lojtarë të tjerë me peshë. Ata dëshirojnë që të afrojnë në Kategorinë e Parë Mentor Mazrekajn e Laçit, Jose Denison Silva dos Santos të Dinamos dhe Kreshnik Ukën e Drenicës.