Shkruan në Facebook presidenti i Republikës Ilir Meta: Përplasja me armë zjarri në Velipojë, me 4 viktima dhe 2 të plagosur, është një tjetër ngjarje tronditëse, që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.
Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale.
Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj.
Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”.
Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë.
Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.