Prej disa ditësh në redaksinë e ShkodraWeb vijnë sinjalizime të shumta lidhur me gjendjen e rëndë financiare në Akademinë “Vllaznia”, pjesë e KF Vllaznia sh.a. Janë shumë trajnerë por edhe prindër sportistësh që flasin për problematika financiare të shtrira në kohë.
Pas verifikimeve nga burime alternative, rezulton se rreth 15 trajnerë kanë deri në pesë muaj pa marrë rrogat. Shpresa e tyre ishte kalimi i turit në Conference League nga ekipi i parë, i cili do të sillte përfitime financiare për KF Vllaznia sha, rrjedhimisht edhe mbylljen e problematikave tek Akademia “Vllaznia”.
ShkodraWeb Ka mësuar se të gjitha ekipet e moshave, kanë paguar rregullisht tarifat por mesa duket këto para kanë shkuar për të mbuluar shpenzimet e ekipit të parë. Trajnerët janë thuajse në panik total sepse askush nuk u thotë se kur mund të paguhen teksa po bëhen gati të rinisin punën për sezonin e ri me ekipet respektive.
Tashmë kjo është edhe një problematikë sociale, teksa trajnerët janë familjarë dhe kanë detyrime për të përmbushur, aq më tepër kur ata po marrin vetëm pagesën për punën e kryer prej muajsh.
“Jepjani pagën punëtorit para se t’i thahet djersa”, është një shprehje- porosi që përdoret shpesh dhe si thënie profetike. Tashmë djersa trajnerëve të Akademisë “Vllaznia” jo vetëm u është tharë por po u rikthehet dyfish edhe nga stresi i madh që po perjetojnë prej muajsh.
Përpara kësaj situate, është e vështirë të mbyllen sytë, goja apo veshët. Secili nga ne duhet ta vërë veten në vendin e trajnerëve të Akademisë “Vllaznia” që kanë deri në pesë muaj pa marrën hakun, mundin punës së tyre. /ShkodraWeb/