Kryetari i Komisonit të Ligjit, Ulsi Manja ka komentuar deklaratën e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila kërkoi që Tom Doshi të mos kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
I ftuar në studion e ABC, Manja tha se Partia Socialiste do të merrte mandatin e tretë pa pasur nevojë për ndihmë nga forca të tjera politike. Duke lënë kështu të kuptohet se deputeti Doshi nuk do të jetë pjesë e listave të Partisë Socialiste.
“PS do të bëjë si subjekt politik atë që i takon. Kur vijmë te problemi përsëri i raportit me ligjin kjo i referohet pas 25 prillit. Do të bëjnë një filtër. PS do të dijë të administrojë në mënyrë të shkëlqyer fitoren në 25 prill. Ne nuk do t’ja kemi nevojë asnjë aleati tjetër sepse presim një mandat të qartë nga qytetarët.
Përgjegjësia jonë pas 25 prillit është të ushtrojmë një mandat të pastër pa asnjë lloj ndikimi. Ne nuk do të kemi nevojë për numrat e askujt për të formuar qeverinë pas 25 prillit. Qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Tom Doshi është kryetar i një partie që garon në siglën e vet. PS në 25 prill do të marrë një mandat të pastër dhe të qartë,”- tha ai.