Ina Nuka, efektivja e repartit të “Shqiponjave” që mbeti e dëmtuar në protestën e banorëve të “Astirit” përpara Kuvendit në 22 nëntor, pas kurimit në Turqi ka mbërritur mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit. Ina duket në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa e prisnin në aeroport familjarë dhe të afërm. Fjalët e para të Inës përpara mediave ishin se ajo nuk do tërhiqet nga policia pasi kjo ka qenë ëndrra e saj.
“Kjo është e pamundur. Unë jam shumë privuar nga shumë gjëra të tjera për të qenë në polici. Kjo s’më pengon aspak, madje më jep shumë forcë.”, thotë Ina Nuka, efektive e Shqiponjave.
Ina flet edhe për vështirësitë që kaloi pas dëmtimit të rëndë në dy gishta gjatë protestës ku 17-vjeçari Daniel Drobaj hodhi një kapsollë në drejtim të saj. “Në fillim kisha vështirësi. Dhimbjet ishin maft të mëdha”.
Ina Nuka u shtrua fillimisht në spitalin e Traumës në kryeqytet iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Por me mbështetjen e kryeministrit, Ina u nis drejt Ankarasë, në një spital të specializuar ku u bë i mundur rekuperimi i dy gishtërinjve të dëmtuar rëndë nga kapsolla e hedhur nga i riu.