Këshilltarët e Bashkisë së Malësisë së Madhe kanë marrë një vendim skandaloz për veten e tyre, ku kanë miratuar propozimin e tyre për të shkuar tri ditë në udhëtim turistik me paratë e Bashkisë. “Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës veprimet e Bashkisë së Malësisë së Madhe, e cila ka akorduar plot 1.5 milionë lekë për udhëtimin turistik të këshilltarëve bashkiakë.
Në Agjencinë e Prokurimit Publik, kjo bashki ka hapur një tender me objekt “udhëtim për këshilltarët, për shkëmbim eksperience”.
Tenderi do të bëhet në datën 28 shkurt dhe firma fituese ka 3 ditë kohë që ta kryejë këtë udhëtim. Udhëtimi është parashikuar të realizohet në fillim të muajit mars.
“Fiks Fare” siguroi dokumentet nga APP, ku është parashikuar edhe i gjithë itinerari i udhëtimit të 33 personave. Firma që duhet të fitojë tenderin duhet të kryejë transportin me autobus Koplik-Podgoricë për 33 persona, bileta avioni Podgoricë-Beograd, transport me autobus nga aeroporti në hotel në Beograd, si dhe dy vakte ngrënieje.
Ditën tjetër është parashikuar udhëtim me autobus nga Beogradi në Budapest, guidë në dispozicion për prezantimin e vendeve që vizitohen sipas agjendës për 3 ditë. Fjetja do të bëhet në Budapest dhe janë parashikuar 3 vakte ngrënieje për 33 persona. Më pas do të bëhet kthimi me autobus deri në Beograd, me avion nga Beogradi në Podgoricë, si dhe transporti deri në Koplik. Për 33 persona do të pritet edhe siguracion i shëndetit.
Gazetarët e “Fiksit” pyetën në Malësinë e Madhe dhe mësuan se 33 personat që do të udhëtojnë nga Kopliku deri në Budapest janë anëtarët e Këshillit Bashkiak. Sipas informacioneve, të gjithë anëtarët, të PS-së, LSI-së dhe PD-së kanë dhënë miratimin e tyre për këtë udhëtim.
Disa banorë të Malësisë së Madhe thanë se “po u vidhen lekë”. Ata thonë se këshilltarët nuk u kanë zgjidhur asnjë hall, madje nuk i kanë çuar në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Bashkinë e Malësisë së Madhe dhe fillimisht takuan përgjegjësin e zyrës juridike. Ai tha se udhëtimi është miratuar nga Këshilli Bashkiak. Sipas tij, Këshilli ka 31 anëtarë dhe dy të tjerë janë guida dhe një konsull nderi.
“Unë kam për detyrë vetëm prokurimin. Ka ardhur një ftesë nga Hungaria, ngaqë ne nuk kemi linja direkte, linjat direkte janë vetëm një herë në javë. Kemi gjetur një linjë transporti tranzit në Beograd, pastaj nga Beogradi do të shkojnë me autobus. Guida është stafi i agjencisë, për të gjithë këtë pjesën që do të vizitohet. Do të jetë një person që do t’iu shpjegojë këto që do të vizitohen”, thotë juristi, duke shtuar se udhëtimi do të zgjasë dy net dhe 3 ditë.
“Fiksi” bisedon edhe me sekretarin e Këshillit Bashkiak. Ai thotë se “me që ka ardhur ftesa, do të shkojmë”. Pyetjes nëse udhëtimi është paketë turistike, ai i përgjigjet se “turistike s’është, por thjesht neve duhet të na sqarojë dikush se për atë punë është”.
Më tej shton se do të shkojnë të gjithë këshilltarët. Në lidhje me fondin, thotë se e kanë miratuar të gjithë anëtarët. Kurse për drekat dhe darkat të paguara, pohon se “nuk mund të jenë 3 vakte”, megjithëse është shkruar në dokumentet në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Gazetarët komunikojnë edhe me kreun e Këshillit Bashkiak, Ilir Halaj. Ai tha se nuk e di sa është fondi, por propozimi ka ardhur nga të gjithë anëtarët e këshillit.
“Kanë qenë dakord edhe ata të opozitës, e kanë konfirmuar të gjithë. Asnjëri nuk ka thënë jo. Është vendimi i Këshillit, s’ka punë Bashkia hiç. Kur është ndarë buxheti janë lënë X lekë për këtë gjë”, thotë Halaj. Më tej shton se fondi është nga paratë e buxhetit të shtetit dhe ai nuk ka shumë informacion, pasi vetëm 7.000 lekë merr në muaj.
Ndërkohë, Gjovalin Vreshtaj, kreu i PD-së në këtë Këshill nuk ka dijeni për udhëtimin në Budapest, por për një ftesë nga një komunë e Brukselit, në Belgjikë.
“Më kanë marrë sot në telefon dhe më kanë kërkuar kopjen e pasaportës. Unë flas për vete, po edhe për të djathtët. Në buxhet nuk është miratuar për atë punë. Këshillave nuk iu lejohet udhëtimi turistik, është shkelje ligji”, thotë ai.