Në këtë kohë nisi të flitej për “historinë skandaloze” dhe turbulluese – aktori i shquar i teatrit popullor, Viktor Gjoka, ka lënë shtëpinë, gruan dhe fëmijët dhe ka vënë kurorë me një vajzë gjimnaziste, shoqen e vajzës së tij.
Pas kësaj, Viktorin e hodhën në prodhim, duke i privuar edhe të drejtën për të luajtur në teatër. Ai tashmë ishte njëri nga të larguarit në “gjirit e ngrohtë të klasës punëtore”.
Po atë nuk e la, atë çupëlinën bukuroshe, që i ishte ngjitur keqas. Ish 17-vjeç, dhe marrosja e saj verbale me Hljestakovin, Xha Halilin apo Mihallaqin, bëri të flitej gjatë.
Ajo, Elena shpërfillëse e një opinioni të frikshëm, mohuese e familjes së saj, e shoqërisë, verbohet për një aktor të madh, por dhe për një burrë gati të të pesëdhjetave, aspak të bukur.
Kjo grua e re nuk iu nda në asnjë moment përpos vështirësive, të cilat nuk i mendonte se do i sillte dashuria e tyre. Në një nga intervistat e tij Viktori pohon se “Njeriu bie në dashuri si në një gropë të errët dhe shikon nga të kapet e të dalë përsipër.
Por unë mbeta brenda dhe nuk dola dot. Por grua e mora, nuk e mbajta dashnore si shumë të tjerë”, madje njëherë provon të shkojë në zyrat e komitetit të partisë me shpresën se pas kaq vitesh mund të kishte shpresë për t’u rikthyr në teatër, ndërsa ai ju përgjigj – “Ah, more Viktor Gjoka, ç’na bëre”, Pse na e bëre si lopa more? I dhe një shkelm kusisë dhe na e derdhe qumështin”.
“Po unë qumështin e derdha, i thotë Gjoka, por të na rrojë lopa, se lopa bën tjetër qumësht”. “Ah, për këto je i zoti ti, por, këtë që bëre… do ta vuash”. “Pse kapeni me mua që mora një nuse të re”, i thotë Gjoka. “Unë e bëra këtë mëkat. Po Babë Myslymi…?! “Pse, ore, Babë Myslymi je ti?!”.
Vendimi për ta larguar nga teatri ishte pas disa mbledhjesh me kolektivin. Por a do të mundej aktori të shkëputej nga ai teatër që i dha aq emocione?
-Flitej se kur binte shi dhe njerëzit mbylleshin në strehëzat e tyre, nga lagja e Tiranës së re nga ku ai banonte, dilte dore për dore një çift duke bredhur rrugëve për t’i mbajtur këmbët nga Teatri Popullor nën pishat e errësirës me një hije trishtimi.
Mbanin vesh, njëri shkëputej, tjetri rrinte në këmbë dhe ai që ish shkëputur (Viktori) puthte dyert dhe muret e teatrit, pastaj binte në gjunjë, pëshpëriste dhe bënte kryq.
Ishte kjo periudhe kur “armiku” Viktor Gjoka nuk mundej të siguronte as bukë në shtëpi, madje vete ai ka pohuar se shkonte dhe rrëmonte në kazanët e mbeturinave kotheret e bukës për t’i pastruar e servirur si ushqimin e ditës.
Qarkullonin fjalë se bezdisjet e njerëzve të policisë (80 lekshave) ishin normalitet për netët e tyre, pasi komenteve të turpshme me zë të lartë i bashkohej edhe grushtimi i dyerve shoqëruar me fjalë fyese për të nxitur reagimin e çiftit.
Fëmijët shiheshin rrallë, ndërsa gruaja e tij e re, dilte pak dhe kurrë vetëm. Pas kësaj nisi një “rehabilitim” i Gjoka-ve. E shoqja nisi punë si shitëse buke, ndërsa Viktori filloi të aktivizohej tek-tuk me ndonjë film. Kjo ishte edhe koha më e qetë për të projektuar edhe fëmijët e tyre. /Nga Raimonda SHUNDI, marrë nga një shkrim i saj/