Thellohet më tej skandali i inceneratorëve. Kompanitë e përfshira në skemën e evazionit fiskal, kanë përdorur firmën e Gjyste Serrmit, e cila ka ndërruar jetë 5 vite më parë.
Syri Tv ka publikuar 5 episode kur është përdorur firma e Gjyste Serrmit pas vdekjes, për të plotësuar pranë Drejtorisë së Tatimeve dokumentacionin e evazionit të kompanisë Elvis 03 që deri në atë kohë kishte qarkulluar të paktën 5. 5 milionë euro, e në të pesta këto dokumente edhe me sy të lirë dallohet që firma është e ndryshme në çdo rast.
Pasi kishte kryer shit-blerje në vlerën 5. 5 milionë euro, Dashamir Ymeri, pronar i disa kompanive që kishin bashkëpunuar me 3 inceneratorët e Klodian Zotos dhe ortaku i tij Ilirjan Xhixha në janar të vitit 2017 i shesin kompaninë Gjyste Serrmit, e cila fakeqësisht ishte në prag të vdekjes. Por teksa kishin larë duart me kompaninë, Dashamir Ymeri kishte lënë pa plotësuar dokumentet e shitjeve të vitit 2015, që shkonin në rreth 3 milionë euro.
Këtu nis edhe falsifikimi i firmës së të ndjerës. Më 7 korrik, teksa Gjyste Serrmi ishte në gjendje të rëndë, ndodh falsifikimi i parë, ku Vjollca Ymeri paraqitet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit me një dokument të firmosur nga Serrmi dhe kërkon që kompania të bëhet aktive.
10 ditë pas vdekjes së Gjyste Serrmi është episodi i dytë. Më 27 korrik pranë tatimeve dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit shkon Dashamir Ymeri, e me një tjetër autorizim të firmosur nga e ndjera, kërkon ndryshimin e emrit të kompanisë nga Elvisi 03 në Elvis 03 SHPK. Dhe vetëm një ditë më pas dorëzon pasqyrat financiare të prapambetura të vitit 2015, kohë kur kishte kryer transaksioni në afro 3 milionë euro. E për vonesën kompania e drejtuar tashmë nga Gjyte Serrmi gjobitet me 15 mijë lekë.
Pasi dosja ishte kopsitur kryhet edhe veprimi i pestë duke përdorur identietin e Gjyste Serrmit, 6 muaj pas vdekjes. Në shtator të vitit 2017, Merita Hajdari, një tjetër viktimë e kësaj skeme, paraqet një tjetër dokument të falsifikuar me firmën e Serrmit dhe kërkon që kompania të pezullohet, dhe QKB e pranon si të mirqenë.
Skandali thellohet edhe më tej, pasi jo vetëm Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit që ligjëruan transaksionet 5. 5 milionë euro për llogari të kompanisë së një personi që kishte vdekur, por kundër të ndjerës janë dhënë edhe dy vendime gjykate.
Më 24 Maj, rreth dy vite pas vdekjes Gjykata Administrative e Tiranës nxjerr një Urdhër Ekzekutimi në dëm të Gjyste Serrmit, për të mos e lejuar atë që të ndryshonte kapitalet, e kjo për shkak të një gjobe të pashlyer të kompanisë, në kohën që zotërohej nga Dashamir Ymeri. E pak kohë më pas një tjetër vendim e jep edhe Gjykata e Lezhës. E dy kompani përmbarimore kryejn zbatimin e vendimit, ndaj Gjyste Serrmit, por pa konstatuar se ajo nuk ishte në krye të Elvis 03 por në varrezat e Shkodrës.
Veprime në këtë kompani ka pasur edhe më pas, por pas plasjes së skandalit Qendra Kombëtare e Biznesit, ka fshehur dokumentet e nuk lejohet aksesi në to, siç në dokumentet e tjera të kësaj kompanie.
Që prej publikimit të skandalit të inceneratorëve janë publikuar dëshmi dhe dokumente se si u abuzua duke përdorur emrat e pensionsitëve, një çobani në Greqi e tani edhe të një personi të vdekur. Por duket se në vitin 2017 duket se nuk ka ndërruar jetë vetëm Gjyste Serrmi, por bashkë me të edhe SPAK, i cili ka mbyllur sytë përball këtij skandali.
Marketin Serrmi, djali i Gjyste Serrmi, një prej pensionisteve të përfshira në skemën e kompanive të inceneratorëve që kryenin evazion fiskal, deklaroi se mamaja e tij jetonte në varfëri, dhe se të ardhurat be saj ishin vetëm 117 mijë lekë, të cilat i merrte nga pensioni. Gjatë një interviste të dhënë për ABC, ai deklaroi se ëma ka qenë në kushte të vështira ekonomike dhe është jashtë çdo llogjike që të mund të ketë kryer evazion fiskal në atë moshë. Ai shton se nuk ka dijeni që ndonjë person të ketë ardhur dhe t’i ketë dhënë ndonjë dokument për të firmosur. Gjyste Serrmit, ka dalë në skemën e inceneratorëve, ku rezulton se asaj gjatë viteve 2016-të dhe 2017-të, i janë shitur dy kompanitë “Elvis 03” dhe “Frangaj Internacional”, pak muaj përpara se të ndërronte jetë.
Pjesë nga intervista:
Simon Shkreli: A dini gjë, nëna juaj ka pasur firmë biznesi të veten?
Marketin Serrmi: As që bëhet fjalë, nuk ka pasur, se nuk ka pasur mundësi, ka qenë fukara e mbaruar, me një pension 117 mijë lekë”.
Simon Shkreli: Keni pasur dijeni a kanë ardhur njerëz të cilët kanë kërkuar për të firmosur një dokument nga ana jote?
Marketin Serrmi: Jo s’ka ardhur kush, s’më ka thënë gjë. S’ka bërë biznes.”
Simon Shkreli: Ju nuk dini asgjë për këto dokumente?
Marketin Serrmi: As që bëhet fjalë, ajo s’ka patur bukë me ngrënë, e ka ndihmuar e motra.”
Simon Shkreli: Pra ju nuk dini fare lidhje me këtë?
Marketin Serrmi: Asgjë s’dimë, ajo ka vdekur pa lënë asnjë fjalë, asnjë gjë, s’ka pasur ca të lërë.”
Të katër kompanitë e familjes Ymeraj kanë krye sipas Kryemadhit evazion fiskal në vlerën 7.5 milionë dollarëve. Bie në sy se këto biznese që iu shitën të moshuarve janë regjistruar në QKB me objekt veprimtari, si, ndërtim, tregti, hoteleri apo dhe eksport të frutave dhe perimeve.