“Bojaxhinjtë e natës zoti mësues”, është kjo një nga batutat më interesante të filmit “Lulëkuqet mbi mure”, ku fëmijët e jetimores përdorën nga fashistët për të fshirë parrullat që komunistët shkruajnë gjatë natës.
Duket se historia përsëritet, këtë here në Shkodër dhe në periudhën e demokracisë. Të shtunën Edi Rama do të jetë në Shkodër, bashkë me një pjesë të qeverisë. Natyrisht, kur vijnë “të medhenjtë”, duhen bërë edhe përgatitje suplementare. Në shkollën industriale “Arben Broci” nga dita e mërkurë, nuk bëhet mësim. Vjen kryeministri dhe kryesor nuk është mësimi, por pastrimi dhe rregullimi i ambjenteve. Sipas sinjalizimeve të ardhura në ShkodraWeb, procesi në fakt jozyrtarisht ka nisur të martën që kur të vijë „i madhi“, gjithçka të jetë perfekte. Po pastrohen e rregullohen ambjentet e shkolles por edhe ato të konviktit. Pra nxënësit jo vetëm penalizohen nga mësimi, por bëjnë edhe një punë të papaguar dhe që nuk takon ta bëjnë. Përveç se me „Lulëkuqet mbi mure“, situata e krijuar ngjan edhe me telekomedinë „Vizita e fundit“, kur diktatori do të vizitonte një shtëpi në fshat në kohën e komunizmit. ©ShkodraWeb