Një skandal i vërtetë ka ndodhur ditën e sotme në kufirin Kosovë-Serbi ku këta të fundit kanë ndaluar delegacionin e boksierëve dardanë të hyjnë në territorin e tyre.
Delegacioni ishte nisur për në Beograd ku duhej të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator që fillon nesër, por është përballur me një situatë aspak normale në kufi. Lajmin e ka konfirmuar vetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit në Kosovë, Latif Demolli i cili është shprehur:
‘’Rreth orës një jemi nisur për në Beograd. Jemi ndalë në kufi në Konçul nga policia serbe dhe nuk na lejuan të dalim andej, për shkak të shenjave të Kosovës në tutat sportive dhe në fanellat tona. Në to shkruan KOS, ndërsa na thanë se duhet t’i lëmë në kufi dhe mund të vazhdojmë. Por siç jemi dakorduar me AIBA-n, që marrim pjesë vetëm me shenja të Kosovës, ne nuk pranuam. Tani jam në kontakt me zyrën e AIBA-s dhe po presim përgjigje’’.
Nisur nga kjo ngjarje e shëmtuar, delegacioni shqiptar ka vendosur gjithashtu të mos marrë pjesë në turne, duke i dalë në krah Kosovës. Diçka të tillë e ka zbuluar vetë trajneri i ekipit të Kosovës, Besim Brahimi i cili falënderon trajnerin e ekipit të Shqipërisë, Zef Gjoni për braktisjen e turnet nëse nuk merr pjesë Kosova.
‘’Të lumtë Prof. Zef Gjoni. Nëse Kosovën, Serbia nuk e lejoj me marr pjesë në botëror, dhe Shqipëria nuk do të marrë pjesë duke tërhequr boksierët e vet’’, shkruan Brahimi në ‘’Facebook’’.