Senida Mesi u zgjodh numri dy i kabinetit të kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe qëndroi në detyrë deri në dhjetor 2018, kur u zëvendësua nga Erion Braçe.
Senida Mesi është diplomuar në vitin 2000 për administrim-biznes në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 2009 ka përfunduar studimet Master në Frankfurt të Gjermanisë për Financë dhe Bankë. Ajo ka një eksperiencë 17 vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik.
Znj. Mesi hyri në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Aktualisht ajo është deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-zv.kryeministres Senida Mesi nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2017, Znj. Mesi deklaronte pasuri familjare prej 25 milionë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e saj familjare kap vlerën e 26.7 milionë lekëve.
Znj. Mesi zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 13.8 milionë lekë, likujditete bankare prej 12 milionë lekësh, automjet me vlerë 490 mijë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën 2017-2018 janë 7 milionë lekë, ku 34% e të ardhurave burojnë nga paga e Znj. Mesi dhe 17% nga paga e bashkëshortit si mjek. Rreth 49% e të ardhurave familjare kanë si burim shitjen e kuotave, pagesat nga konsulencat dhe mësimdhënia e Znj. Mesi dhe bashkëshortit të saj.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 2 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një detyrim të pashlyer ndaj një kompanie ndërtimi.
Sipas deklarimit për herë të parë të Znj. Mesi, ajo zotëron në bashkëpronësi me bashkëshortin dy apartamente të blera në vitet 2010 dhe 2012 me vlerë totale 13.8 milionë lekë. Si burim për këto pasuri, ajo deklaron një kredi bankare prej 60 mijë euro, nga e cila ka mbetur pa u shlyer 15, 535 euro në vitin 2017 dhe një detyrim prej 9,636 euro ndaj kompanisë ndërtuese. /BIRN/