Nga Klodian ZHIVANI, gazetar
Ishte 7 gushti i vitit 2020 kur Thomas Brdariç, një ish- futbollist me karrierë brilante por një trajner jo i suksesshëm, mori drejtimin e Vllaznisë. Një ekip me lojtarë kryesisht nën mesataren por me premtimet e mëdha për RETURN TO GLORY. Deri në muajin dhjetor, për asnjë moment nuk e mendova suksesin e këtij ekipi, duke pasë parasysh talljen që drejtusit kanë bërë ndër vite me këtë ekip. Është kjo Vllazni që para disa vitesh, në prill, ishte në vendin e 4- ët dhe po ëndërronim Kupat e Europës por deri në qershor nuk mori asnjë pikë dhe në fund u luajt ajo ndeshja e tmerrit me Tiranën.
Ky, Brdariç mori këta lojtarët që ia sollën me traktor drejtuesit. Disa prej tyre i mësoi edhe se si të bënin stërvitje, disa edhe se si të pozicionoheshin në fushë. Me këta sportistët që ëndrrën më të madhe kishin qëndrimin në Superligë, Brdarië krijoi një ëndërr tjetër, atë të titullit kampion. Në një qytet të etur për futboll e për trofe, ai solli shpresën. Shumë profesionist e shumë i kulturuar. Njeri fantastik!
Sukseset vijuan njeri pas tjetrit, me Vllazninë spektakolare që na kishte munguar në këto vite, aq sa edhe unë besova në fund të dhjetorit, se me pak merkato mund të shpallen kampion.
Me janarin filloi edhe “merkatoja”. Drejtuesit me “show” për natë nepër media, aq sa kishim frikë me ndez televizorin. Me muzikë “live” në grumbullimet e ekipit, që nuk ndodhin as në klubet e Mozambikut. Investuam fort në merkato, aq sa sollëm disa pensionistë dhe krijuam këngë të re. U shit edhe Dunga, lojtar mesatar por prej tij morëm 100 mijë euro. Lek të cilat nuk dihen ku përfunduan.
Në vijim, filloi edhe teatri. Mbrojtja hermetike e disa ditëve më parë, nuk ishte e njëjta. Mbrojtësit talleshin, mesfusha po ashtu edhe sulmi. Edhe trajneri gaboi shpesh heri me zëvendësime dhe rreshtime në fushë por nuk është ai problemi. Prej në “mbrojtjen perfekte”, dolëm tek teatri perfekt. Çfarë turpi! Ekipet e tjera u përforcuan por Vllaznia çuditërisht nuk ishte e njëjta. Nuk është Vllaznia e Brdariç, ekip që në 9 ndeshje fiton vetëm 1. Këtu ka diçka tjetër!
Matko Djarmati tha se në klub ka një problem që s’ mund ta them. Ai nuk e thotë, pyetëm edhe drejtuesit dhe ata nuk e thonë. Ndoshta problemi është Brdariç. Një kroato- gjerman që në kulturën e tij, nuk pranon “pisllëqet” e ne shqiptarëve.
Mua më duket si skemë e planifikuar shumë bukur për ta larguar. Paçi faqen e zezë! Return to faqja e zezë! Turp që shkatërruat ëndrrën e një qyteti!