Shkodrani i pankinës pogradecare Samuel Nikaj pas ndeshjes së humbur në transfertë 2-0 me Kastriotin i ka paraqitur dorëheqjen presidentit të ekipit Armand Lilo. Dorëheqje e cila është pranuar nga i pari i futbollit liqenor.
Burime të cituara nga Pogradeci News thanë se Nikaj para nisjes për ndeshjen e kësaj jave me Kastriotin kishte bërë gati valixhet, madje kishte dorëzuar edhe çelsat e hotelit ku ka qëndruar prej gati 3 vitesh në Pogradec.
Çka tregon se ai pavarësisht rezultatit të takimit të kësaj jave e kishte ndarë mendjen për të mos qenë më në pankinën e këtij ekipi.
Në fakt rezultatet jo të mira deri tani kanë qenë ato që e kanë detyruar Nikajn të mos jetë më pjesë e Pogradecit, ekip të cilin e ka ngjitur në kategorinë e parë.
Duhet thënë se disa emra të njohur trajnerësh janë vetëofruar tek Pogradeci tashmë dhe tani është radha e presidetit për të vendosur se kujt do ja besojë ekipin.
Nga ana tjetër mësohet se shumë futbollistë do të bashkohen me ekipin liqenor në merkaton e dimrit, madje menaxherë afër presidentit kanë pasur kontakte me shumë lojtarë të tillë.