Skulptori i mirënjohur shkodran Ferid Kola, ka krijuar bocete personazhesh të njohur të historisë, artit dhe kulturës shkodrane e shqiptare. I njohur për mjeshtërinë dhe pasionin e tij artistik, skulptori Kola na ka sjellë një imazh ndryshe për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
“Qysh kur isha fëmijë, ndoshta një shpatë të vjetër që kish në shtëpi si dhe kalaja Rozafa me fantazinë që rrezaton e cila hynte në këndin tim të lojnave të asaj moshe, kanë bërë që Skenderbeun ta kisha figurën me të afërt .
E kam vizatuar shpesh dhe hyrë thellë në shpirtin e kësaj figure shumë të dashur deri sot. Dhe them se kam realizu figurën e tij artistike me të cilën do të ishte nderu çdo shtet e komb i gadishullit Ilirik në mbrojtje nga Perandoria Osmane.”, shkruan Kola në rrjetet sociale.
Ndërsa ka prezantuar bocetin e tij të radhës, skulptori shkodran ka nënvizuar se është një projekt ide për farin e Kepit të Rodonit, të cilin e mendon rreth 30- 40 metër të lartë dhe që sipas tij, do të shihet edhe përtej Adriatikut. Urojmë e shpresojmë që kjo punë e mjeshtrit, të materializohet sa më shpejt bashkë edhe me punë të tjera që meritojnë të shijohen në ambjente publike dhe jo vetëm si bocete të studion e skulptorit Ferid Kola. /ShkodraWeb/