Vllaznia do të luajë nesër ndaj Laçit ndeshjen e rradhës për kampionat. Ajo do të ndeshet me një skuadër e cila po kalon një moment të mirë dhe me ardhjen e trajnerit Josa në krye të saj ka marrë 7 pikë në tre ndeshjet e fundit.
Për ndeshjen e nesërme trajneri i kuqebluve Thomas Brdariç është shprehur se nuk i intereson momenti i mirë apo i keq që po kalon kundërshtari. Për të e rëndësishme është që Vllaznia të luajë në maksimumin e saj dhe nëse kjo ndodh, do të vijë edhe fitorja. Ja si është shprehur numri 1 i pankinës shkodrane në konferencën e sotme për shtyp.
“Fillimisht dua të flas dicka për tifozët që na ndjekin. Javën e kaluar më pyetën se pse kishte aq pak tifozë në stadium. Dua të them që i vlerësojmë të gjithë, sidomos ata që vijnë në stadium, edhe nëse do të jetë vetëm 1, do të jenë nje mijë apo dhjetë mijë. Ajo që dua të them është se kemi nevojë për të gjithë tifozët e Vllaznisë. E kemi nisur këtë rrugëtim bashkë dhe i duam me vete në cdo moment, në cdo hap tonin.
Kjo është një deklaratë tepër e rëndësishme për mua dhe dua që e gjithë Shkodra të jetë me ne dhe të kemi mbështetje sa më të madhe. Në mënyrë që ne të rrisim numrin e tifozëve në stafium ne do të mundohemi gjithminë të luajmë sipër limiteve tona, te luajmë sa më mirë të jetë e mundur në mënyrë që t’i kënaqim ato dhe të jenë sa më shumë në numër për të parë lojën tonë.
Normalisht që ne kemi dëshirë të krijojmë një seri suksesesh rradhazi dhe më pas të krijojmë edhe një vazhdimësi. Duhet të kuptojmë të gjithë ne që kjo që po bëjmë është një punë e madhe, sidomos lojtarët, të cilët po punojnë fort që ne të arrijmë maksimumin tonë dhe të rritemi dita-ditës. Nuk ka rëndësi si është Laci, ne gjithmonë do ta marrim seriozisht këtë ekip. Do të gjejmë mënyrën se si të mbështesim njëri-tjetrin, si t’i shkakojmë Lacit humbjen e rradhës dhe shpresojmë t’ia dalim dhe ditën e nesërme.
Mendoj se humbja e Tiranës ishte një sinjal i rëndësishëm, për të treguar se të gjithë duhet të tregohemi të kujdesshëm, e të dimë se cdo ekip mund të mundë cdo tjetër në këtë ligë. Cdokush ka një sfidë të vështirë për t’u stërvitur dhe për të luajtur në këto kushtë të vështira që gjenden në Shqipëri. Ato që bënë diferencën në ndëshjen e Tiranës me Kukësin ishin disa detaje të vogla, por mjaft të rëndësishme dhe kjo gjë duhet të vlejë edhe për ne, që duhet të jemi të përqëndruar dhë të gjithë lojtarët të besojnë në mënyrën si punojmë ne dhe vetëm kështu mund të vazhdojmë të ecim përpara. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur. është një punë e mirë e stafit dhe e doktorave.
I gjithë stafi po mundohet t’i mbajë lojtarët të gatshëm për të luajtur. Jam i lumtur që kam ekipin e plotë për të luajtur. Fatmirësisht Gjurgjevic e Da Silva janë kthyer nga dëmtimi dhe lojtarët që do të zbresin në fushë nesër do të kenë mbështetjen e të gjithë grupit dhe fatmirësisht do të kemi edhe lojtarë të aftë nga stoli për të bërë diferencën në fushë nëse do të jetë nevoja, kështu që jam më se i gëzuar për këtë.
Për mua është e rëndësishme që të kemi lojtarë me shumë vetbesim, siç është dhe Arditi (Hoxhaj) , i cili ka mësuar nga e kaluara. Nesër do të zbresim me dëshirën maksimale në fushë dhe nuk do të jetë e rëndësishme se si do të luajë Laci, por sa ne e dëshirojmë këtë fitore”- ka thene Brdariç.