Snajperisti kanadez me nofkën ‘Wali’, i cili udhëtoi vetë në Irak për të luftuar kundër Shtetit Islamik në vitin 2015, do të kalojë kufirin ukrainas këtë të mërkurë për të shkuar dhe për të luftuar rusët si vullnetar, transmeton Gazeta Metro.
Kanadezi 40 vjeç, i cili u bë shkencëtar kompjuterash pas dy shërbimeve ushtarake në Afganistan si snajper me Forcat e Armatosura Kanadeze midis viteve 2009 dhe 2011, do t’i bashkohet një kontigjenti gjithnjë në rritje të luftëtarëve të huaj në Ukrainë.
Wali nuk priti të dielën për të paketuar valixhet. Gjithçka ndodhi shumë shpejt të premten, kur ai u kontaktua nga një mik i cili prej disa muajsh organizonte “kolona neutrale” të ndihmave humanitare për të sjellë ushqim në rajonin e pushtuar të Donbasit, shkruan La Presse.
“Ai më tha se kishin nevojë për një snajper. Është si një zjarrfikës që dëgjon alarmin. Më duhej të shkoja atje”, tha snajperisti elitar kanadez.
Edhe gruaja e tij foli për pjesëmarrjen e të shoqit në luftën e Ukrainës, duke thënë: “E dija që nëse nuk e lija të ikte, do ta kisha thyer. Do të ishte njësoj si ta futje në burg.”
Wali tha se nuk mund të lejonte që një “pushtim i gjithanshëm” të ndodhte para syve të tij, duke përmendur edhe kohën kur luftoi në Siri kundër terroristëve të ISIS’it.
“Kur po luftoja kundër Shtetit Islamik, kishte një kundërshtim thelbësor. Ata ishin radikalë të dhunshëm që hidhnin homoseksualët nga çatitë. Ndërsa atje, nuk është një opozitë e tillë ideologjike.”
Kërkesës së presidentit Zelensky për të luftuar në Ukrainë, iu përgjigjën pozitivisht rreth 20 mijë njerëz nga 52 shtete të botës.