“Sonte është nata që e kemi pritur për më shumë se 30 vjet, tha një nga liderët e Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviç, i cili mposhti kandidatin e DPS-së, Milo Gjukanoviç në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
“Qofshim të gjithë të bekuar me këtë fitore”, tha Milatoviç në festën në Qendrën Universitare në Podgoricë.
“Qofshim të bekuar me fitoren e Malit të Zi të pajtimit”, theksoi ai.
Milatoviç tha se Mali i Zi sonte bëri një hap përpara dhe “i tha lamtumirë regjimit të vjetëruar të Gjukanoviçit” dhe bëri një hap drejt një Mali të Zi më të mirë evropian.
“Ju e shihni forcën e Malit të Zi të përbashkët. Prandaj kjo fitore është kaq e madhe dhe kaq historike. Ne i thamë lamtumirë krimit dhe korrupsionit. Kjo është një ditë historike për të gjithë, i ftoj të gjithë të festojmë me dinjitet”, theksoi ai.
Milatoviç tha se premton të jetë president i të gjithë qytetarëve.
“Në pesë vitet e ardhshme, ne do ta sjellim Malin e Zi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kurrë nuk do të vijnë më konflikte nga Mali i Zi ndaj ndonjë vendi të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve tanë. Ne duam unitet, harmoni dhe përparim në Ballkanin Perëndimor evropian.”
“Kjo është me të vërtetë një fitore për një Mal të Zi të pajtuar dhe askush nuk do të debatojë më me Malin e Zi,” tha ai. Në selinë e asaj partie sonte erdhën përfaqësues të partive politike që e mbështetën Milatoviqin në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Në fjalimin e Milatoviçit në Qendrën Universitare, përveç presidentit të PES, Milojko Spajiç, morën pjesë lideri i Lëvizjes Qytetare URA Dritan Abazoviq, presidenti i Demokratëve Aleksa Beçiq, krerët e DF Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq, ish- kryeministër Zdravko Krivokapiq.
Sipas të dhënave nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI) dhe Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT), Milatoviç mundi kandidatin e DPS-së Milo Gjukanoviç në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të sotme.
Mbështetësit e Milatoviçit u mblodhën më herët në mbrëmje para selisë së PES-it, pas së cilës u drejtuan drejt Qendrës Universitare. Me të mbërritur Abazoviç, ata filluan të bërtasin: “Arrestoni Dritanin”.