Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se nga ky moment në aeroport do të nisin fluturimet esenciale. Ajo u shpreh se sipas planeve nesër në mëngjes pritet të ketë fluturimet normale për të gjithë udhëtarët.
“Jam këtu për të komunikuar situatën në Aeroportin e Rinasit pas ngjarjes së djeshme të bllokimit të trafikut për shkak të një greve të paligjshme nga kontrollorët. Në këto momente në Aeroportin e Rinasit do të nisin fluturimet esenciale, ato që futen në këtë kategori, fluturimet humantirare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Ju njoftoj se kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave të konsiderueshme që do të vinte dje në Shqipëri dhe është bllokuar, do të vijë sot rreth orës 15:00 pasdite.
Dua të informoj të gjithë qytetarët që na kanë shkruar që do jetë e pamundur këto momente që të kemi fluturime komerciale, por gjatë ditës është duke u punuar për të arritur në një zgjidhje të këtij problemi shumë të madh. Sipas planave tona do të arrihet ditën e nesërme. Nesër që nga orët e para të mengjesit dhe gjatë gjithë ditës do të kemi fluturime normale për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komeraciale”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Transportit dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se protesta e kontrollorëve të trafikut ajror ka qenë i organizuar për të pasur një bllokim deri ditën e zgjedhjeve. Nga aeroporti i Rinasit, ministrja u shpreh se janë marrë të gjitha të dhënat dhe po bëhet verifikimit për të arritur në konkluzionet e duhura.
“Kjo na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim deri ditën e fundit të zgjedhjeve. Janë marrë të gjitha të dhënat për të bërë një verifikim të thellë të kësaj situatë dhe për të arritur në konkluzionet e duhura. Trafiku ajror ka filluar punën dhe ne po zgjidhim hap pas hapi për të vënë në funksion dalëngadalë të gjitha njësitë dhe për të kthyer gjithçka në normalitet”, u shpreh ministrja.