Shënim i ShkodraWeb
Aksioni masiv i gjelbërim- pastrimit të Shkodrës me “iniciativë” nga lart duhej të vazhdonte edhe sot, e diel 21 janar 2018. Kështu proklamonte propaganda që i parapriu aktivitetit. Sot në fakt, po bie shi ashtu siç edhe dje. Arsyeja zyrtare e mosvijimit të aksionit sot është pikërisht shiu. Kështu që fidanët e mbetur, duhet të presin sa të dalë koha e mirë për ti mbjellë.
Dje, në ditën e parë të aksionit në kuadër të “Shkodra është dashni” apo “Për Shqipërinë që duam” koha u shpërfill, u mbollën disa dhjetra apo qindra fidanë. Sepse në fakt, nuk kishte më shumë mundësi edhe pse u deklaruan zyrtarisht rreth 6 mijë fidanë të siguruar. Edhe gropat e hapura nuk ishin as 1/10 e numrit të fidanëve. Por të shtunën, edhe sikur gurë të binin nga qielli, aksioni duhej të zhvillohej sepse përndryshe ministri dë të mërzitej shumë dhe rruga drejt Shkodrës do ti shkonte dëm…
Por sot Klosi nuk do të jetë në Shkodër, mbase do të ketë vajtur për të mbushur me gjelbërim e për të pastruar një bashki tjetër. Natyrisht, Shkodra jonë ka dalë jashtë fokusit, aq kohë në dispozicion i ishte caktuar, me datë e me orë fikse. Nga ana tjetër, Klosi apo ndonjë ministër tjetër nuk do të votëbesohet direkt nga shkodranët, karrikja e tij ministrore është ekskluzivisht në dorën e kryeminisrit.
Ishte show apo nuk ishte show? I ministrit apo i kryetares së Bashkisë? Përfitoi ky apo përfitoi ai nga aksioni gjelbërim- pastrim? Këto pyetje kanë mbushur rrjetet sociale, tryezat e lokaleve, gati- gati edhe eterin. Për ata që nuk e dinë apo nuk e kujtojnë. Gjëja ka dy komponentë: imazhi dhe përmbajtje. Ministria, Bashkia dhe Shoqëria Civile zyrtarisht ishtin deklaruar si bashkëorganizatorë. Kjo ka të bëjë me imazhin, formën e gjësë. Që të tre këta komponentë, me të drejtë u përpoqën të identifikohen ditën e shtunë, edhe pse zyrtarisht u tha se ideja ishte e Shoqërisë Civile, të cilës iu bashkangjit Ministria e Bashkia. Pesha që ka patur çdo institucion në këtë aksion në çdo rast është relative: Të kishte patur mundësi tjetër, pra për të marrë të vetëm “meritat”, nuk do të kishin ndërvepruar. E për të qëndruar tek forma, edhe Shoqëria Civile nuk preferoi të mbetej e paidentifikuar, normalisht me të drejtë. Përveç rrjeteve sociale, u shfrytëzuan edhe veshjet me logo ku lexohej qartë, mirë e bukur emri i Shoqërisë Civile. Për të shkuar tek përmbajtja e gjësë, e cila mendoj se është më e rëndësishme. Të shtunën u mbollën disa qindra rrënjë fidanësh. Kanë mbetur edhe mijëra të tjerë, mbase më shumë se gjysma që sot nuk u mbollën për shkak të shiut, i cili një ditë më parë nuk pengoi. Pyetja krejt normale është: a do të vijojë mbjellja kur të përfundojë shiu? A do ti mbjellë Shoqëria Civile përmes vullnetarizmit apo punonjësit e Administratës të Zonave të Mbrojtura Shkodër? Apo nuk do të ketë informacion e prani të medias në vijim? Pas këtyre rreshtave, besoj se çdokush e ka të lehtë të nxjerrë konkluzione…nëse merr mundimin për të lexuar meqë është ditë me shi!