Vetëm pak orë pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e tij, Sali Berisha do të jetë në Shkodër në një takim me mbështetës së PD- së së Rithemelimit.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtues dhe anëtarë të PD- së së Rithemelimit, të cilët kanë shpërndarë edhe posterin e takimit në rrjetet sociale. Takimi do të zhvillohet pasditen e sotme në Kinema “Millennium”, e cila nga 8 nëntori ka kaluar në administrimin direkt të Bashkisë Shkodër.
Shkodra konsiderohej si bastion i palëkundur i PD- së deri me 14 maj të këtij viti, kur Benet Beci si përfaqësues i PS- së, mundi në garën për kryebashkiak Bardh Spahinë me një diferencë rreth 12 mijë vota.
Takimi i sotëm përkon edhe me 33- vjetorin e “13 dhjetor 1990” në Shkodër, aktivitetet për të cilin u organizuan paradite dhe Berisha nuk ishte i pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera.
Megjithatë, në të njëjtën ditë, ai ka vendosur të vazhdojë takimet e tij “Opozita në aksion” pikërisht me Shkodrën, ku pritet me interes jo vetëm fjala e tij por edhe reagimi i mbështetësve të PD- së së Rithemelimit pas kërkesës së SPAK për Kuvendin për leje për ta arrestuar.