Prokuroria e Posaçme jep pretencën e çështjes penale ndaj ish-kryebashkiakut socialist të Durrësit, Vangjush Dako, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Prokurori i SPAK Sotir Kllapi kërkoi dënimin me 4 vite burg për ish-zyrtarin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, Dakos do t’i ulet 1/3 e dënimit, duke zbritur në 2.8 vite.
Aktualisht ish-zyrtari i lartë vendor, që është nën masën e arrestit në shtëpi, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me zbardhen e një leje ndërtimi, për një pallat në vitin 2014, si dhe për shpërdorim detyre për tenderin e supervizimit të promenadës për vijen bregdetare, me vlerë rreth 200 mijë euro.
Në pretencën e dhënë për Fatmir Ejupin, ish-topograf i akuzuar për falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite, që me gjykim të shkurtuar konvertohet në 2 vite burg.
Për ndërtuesin Fiqiri Farruku, me akuzën falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite burg, që me gjykim të shkurtuar bëhet 2 vite burg dhe i pezullohet burgu, duke u vendosur në 4 vite shërbim prove.
Kurse për Adrian Bulkun, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, u kërkuan 3 vite burg, që me gjykim të shkurturar kthehet në 2 vite dhe i pezullohet burgimi, duke e kthyer në shërbim prove gjithashtu.
Seanca e radhës, për konkluzionet e palës mbrojtëse, para se të shpallet vendimi i GJKKO-së, do mbahet më 21 Nëntor, ora 14:00.
Dako u vu në pranga në qershor të vitit 2023 por me pas pas 8 muajsh u lirua në arrest shtëpie në shkurt të ketij viti, për shkak të kalimit të afateve. Procesi ka ardhur në fundin e tij në GJKKO. Seanca drejtohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri, kurse prokuror është Sotir Kllapi.