Interesi për ndeshjen Vllaznia- Shiroki Brijeg që do të luhet të enjten në stadiumin “Loro Boriçi” është shumë i madh. Vetëm brenda 3 orësh, janë shitur gati 1/3 e numrit të biletave që do të jenë në dispozicion të tifozëve për këtë ndeshje dhe me këtë numër duket se brenda ditës së nesërme nuk do të ketë më bileta në shitje.
Klubi kuqeblu kishte njoftuar që shitja e tyre do të fillonte paraditen e së hënës dhe kjo ka bërë që një numër i konsiderueshëm tifozësh të dynden në sportelet pranë stadiumit për të siguruar një biletë. Brenda një harku kohor të shkurtër, janë shitur rreth 1500 bileta.
Një tregues ky që ndoshta e ka gjetur të papërgatitur edhe kompaninë që merret me shitjen e tyre sepse nuk e kishte menduar një fluks të tillë kërkesash. Shkodranët duken të etur për të qenë në stadium, pas gati një viti e gjysëm larg Vllaznisë për shkak të mbylljes së tyre si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia.
Por për fat të keq, edhe për ndeshjen e “Conference League”, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, “Loro Boriçi” do të jetë i hapur në vetëm 30 për qind të kapacitetit të tij, çka do të thotë se nuk mund të jenë të pranishëm më shumë se 5 mijë tifozë.
Një situatë e tillë do të thotë se shumë prej tifozëve nuk do të kenë mundësi ta ndjekin këtë ndeshje në shkallët e stadiumit. Pavarësisht këtij fakti, ata që do të jenë të pranishëm do të mbështesin fuqimisht Vllazninë, me shpresën e përmbysjes së rezultatit 3-1 të ndeshjes së parë.