Një lajm i trsihtë është mësuar para pak minutave. Gjino Mjeda, një nga volejbollistët më të mirë të Vllaznisë por edhe të Shqipërisë, është ndarë nga jeta. Lajmin e ka bërë publik Mark Kroqi, ish- bashkëlojtar me Mjedën dhe nga miqtë e tij më të afërt.
“Na tradhtoj fort i miri Gjino Mjeda tuj na lanë kujtimet e nji jete së bashku…Pushofsh në paqe kampioni jonë!”, shkruan Mark Kroqi në rrjetet e tij sociale.
Gjino Mjeda është pjesë e brezit ndoshta më të artë të volejbollit shkodran e shqiptar, bashkë me një plejadë të ndritur që ka lënë gjurmë në këtë sport me ngjyrat kuqeblu.
Gjino Mjeda lindur në Shkodër në vitin 14 maj 1957. Merret me volejbollin që fëmijë dhe arrin tek ekipi i parë në vitin 1973, vetëm 16 vjeç. Luan si shuter dhe spikat me të dhënat e tij që jo më kot, kishin rënë edhe në syrin e trajnerit të këtij ekipi.
Ka një përgatitjet të shkëlqyeshme fizike, dallohej për kërcyeshmërinë e tij të lartë dhe teknikën që zotëronte në lojë. Ka luajtur për 18 vite me rradhë me ekipin e Vllaznisë, deri në vitin 1990. Një rekord më vete ky për pozicionin e tij sepse do të luante në nivele të larta deri në fund të karrierës së tij.
Është fitues i tre kupave të Republikës në vitet 1985, 1988 dhe 1989 me ekipin e Vllaznisë. Gjino Mjeda është grumbulluar në kombëtare por për biografi të keqe nuk është lejuar të dalë jashtë Shqipërisë asnjë herë. Do të mbahet mend gjatë si një volejbollistët më të mirë jo vetëm të Shkodrës por të gjithë Shqipërisë.
Një vlerësim shumë të veçantë për të do të jepye pak kohë më parë pat dhënë volejbollisti i njohur vlonjat Todi Driza e cili e përshkruante kështu Gjino Mjedën: “Një volejbollist i përmasave europiane që sulmonte mbi çdo bllok. Mbaj mend ndeshjen Flamurtari- Kombëtarja e Maqedonisë në pallatin e sportit “Flamurtari” të Vlorës në vitin 1979 kur Xhinoja erdhi si përforcim për skuadrën tonë dhe ai me lojën e tij të shkëlqyer na dha fitoren historike 3-2.
Gjuante mbi bllokun tresh të maqedonasve në vijën fundore. Lumturi edhe për ne sepse Flamurtari fitoi ndaj kombëtares së Maqedonisë e cila vinte pas turneut që kishte zhvilluar në Poloni ku kishte arritur 11 fitore dhe në turneun që u zhvillua në Shqipëri i mundi të gjithë ekipet e tjera dhe vetëm Flamurtari e mundi. Dhe kjo ndodhi pikërisht për shkak të lojës së shkëlqyer të Gjino Mjedës. Një volejbollist fluturues. Mbi të gjitha, një djalë i rrallë”.
Gjino Mjeda është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës dhe vërtetë e ka merituar sepse për volejbollin shqiptar ka qenë i madh!