Me 1 mars 2021, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nënshkruan marrëveshjen me 13 pika për koalicionin opozitar “Shqipëria, shtëpia që fiton”. Sipas Kryemadhit por edhe Bashës, ky koalicion me 25 prill 2021, do të vinte në pushtet duke larguar Edi Ramën. Ndërsa kjo është histori e vjetër, sot ish- kryeministri Berisha njoftoi koalicionin me LSI- në në kuadër të zgjedhjeve vendore të pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki të vendit.
“Sali Berisha ka vetëm një garë, atë për të dëmtuar Partinë Demokratike. Koalicioni non grata nuk do ta mbajë Shqipërinë në vendnumëro, hallet e Berishës, Ramës dhe Metës, nuk janë hallet e shqiptarëve. Zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën. Zgjedh Berishën dhe Metën, mban Ramën.”, reagoi menjëherë pas lajmit selia blu, ajo zyrtare, me kryetar Lulzim Bashën.
“Sot Sali Berisha pohoi me gojën e tij se po i bën mbështetësit e tij shtojcë të LSI. Nuk ka Shtëpi të Lirisë. Ka Shtojcë të LSI-së në shtëpinë e tyre të përbashkët NON GRATA!. Regjistrimi në zgjedhje ka vulën e LSI-së, komisionerët kanë vulën e LSI-së.”, shtoi më pas numri 2 i PD- së zyrtare, Gazment Bardhi.
Nuk është mbushur viti nga 1 marsi 2021 dhe sot, mirë Berishën por edhe aleatin e fortë të 25 prillit, sot Lulzim Basha dhe PD- ja e tij, e shohin si kërcënim për ekzistencën e tyre. Duke i besuar parimit “demokracia konvertohet në numra për të ardhur në pushtet”, Lulzim Basha si kandidat për kryeministër, shkeli edhe mbi vullnetin publik të mjaft demokratëve duke hyrë në koalicion me LSI- në (shprehej “pa numrat e LSI- së PD nuk vjen në pushtet”). Madje, kapërdiu edhe atë që kishte thënë e bërë në 2017- ën në sintoni me Ramën për të eliminuar politikisht LSI- në.
Që pas 26 prillit 2021, PD dhe LSI thuajse i nderprerë marrëdhëniet. Edhe sot, ato janë të ngrira ndërsa në distancë nuk kursehen shigjetimet reciproke. Pas 9 shtator 2021, në PD ka një realitet të ri. Sali Berisha ka krijuar një frymë anti- Basha në PD, i cili gjithsesi po rezitson dhe deri më tani, njihet nga institucionet siç është edhe KQZ- ja.
Ndërsa Kryemadhi por edhe Meta qartazi janë pozicionuar kundër Lulzim Bashës, duke e konsideruar si pjesë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën, me 6 mars 2022, po përvijohet një opozitë alternative e asaj zyrtare të përfaqësuar nga selia blu. Kandidimi i PD- së së Berishës me LSI- në, është teknikalitet jo i parëndësishëm. LSI do të ketë komisionerë në të gjitha nivelet dhe grupet e numërimit, të domosdoshëm për të garantuar procesin e votim- numërimit. Po ashtu edhe regjistrimin e kandidatëve, pa patur nevojë për firma kandidimi, të cilat në kushtet aktuale, edhe mund të kontestohen nga KQZ, me synim pengimin e pjesëmarrjes në zgjedhje.
Përveç pjesës teknike, shumë e rëndësishme, bashkimi i PD- së së Berishës me LSI- në e Kryemadhit, synon të vertetojë, të provojë para shqiptarëve, kush është opozita e vertetë në këtë vend. Nëse do të fitohen edhe bashki nga 6 në garë përballë PS- së, praktikisht bashkimi PD e Berishës- LSI konfirmohen si opozita reale në këtë vend. Edhe nëse nuk fitohen bashki por renditen para PD- së së Bashës, qëllimi mund të quhet i përmbushur. Kësaj i druhet Lulzim Basha, prandaj është hedhur në sulm ndaj ish- aleatit LSI por edhe PD- së së Berishës. Sigurisht, ka gati edhe alibinë nëse humb të gjitha përballjet me Edi Ramën me 6 mars: Më sabotoi Berisha dhe LSI! Nga ana tjetër, humbja e 6 bashkive apo edhe renditja pas koalicionit PD e Berishës- LSI, shënon edhe rënien e kauzës së Bashës se “95% e demokratëve mbështesin atë”. Praktikisht, selia, logo e vula mund ti mbeten por si një parti pa mbështetje elektorale.
Ata që kanë kujtesë, në mandatin 2009- 2013, PD dhe LSI kanë bashkëqeverisur vendin me “4 mandatet e arta”. E pjesë e kësaj bashkëqeverisje, si ministër jo i parëndësishëm, ishte edhe Lulzim Basha. Edhe 21 janari 2011 që kishte si shkak Ilir Metën dhe “bllokun 700 mijë”, i gjeti bashkë, me Bashën ministër i brendshëm. Fotot në internet, edhe duke u gajasur, vazhdojnë të gjenden lehtë edhe sot. Morali “kur LSI është me mua është e mirë, kur është kundër është e keqe”, nuk vlen. As demokratët e as shqiptarët, nuk janë budallenj. /Nga Sokol N. SOKOLI/