AEL Limassol është kundështari i radhës i Vllaznisë në Conference League. Pavarësisht se nuk ka asnjë futbollist vendas pjesë të ekipit të parë të tij, AEL Limassol është pjesë e një kampionati relativisht të dobët, siç është ai i Qipros. Pavarësisht kësaj, ditët e fundit po flitet me superlativa për këtë ekip, si një kundërshtar të rreptë të Vllaznisë.
Ajo që mund të thuhet me qartësi është se AEL është shumë më i fortë dhe i mirëorganizuar se Shiroki Brijeg. Ajo dallohet lehtë, qoftë edhe me një vizitë në faqen zyrtare në internet të AEL. Ajo që kërkohet nga Vllaznia, është të arrijë në nivelin e pjesës së dytë të ndeshjes në “Loro Boriçi” me Shiroki Brijeg. Me atë rreshtim, disiplinë, grintë dhe përgatitje fizike- psikologjike, AEL nuk është i pakapërcyeshëm.
Duke u ndalur tek statistikat e 8 ndeshjeve të fundit të AEL në kampionatin ku bën pjesë, rezultatet nuk janë shumë “të frikshme”, Edhe pse në fund të Superligës vendase u rendit e treta, në 8 ndeshjet e fundit ka regjistruar 5 humbje. Nga këto, ka regjistruar 3 humbje në stadiumin e vet. Po ashtu, në 8 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 1.13 pikë për ndeshje ndërsa gjatë sezonit ky koeficent ka qenë 1.89 pikë për ndeshje.
Statistikat që mund ti shihni vetë më sipër, tregojnë se AEL ndoshta nuk është në momentin e tij më të mirë. Por kjo nuk duhet të bëjë që Vllaznia “të flejë mbi dafina”. Kjo ndeshje, ky kundërshtar duhet vlerësuar maksimalisht por nga ana tjetër, nuk dueht mbivlerësuar deri në frikë për këtë përballje. Në ndeshjen e parë, duke shpresuar të mos përsëritet arbitrimi me Shiroki- Brijeg në Bosnje, favor për AEL mund të jetë orari i ndeshjes, ora 17.30.
Nga ndeshja e parë varet shumë por arena kuqeblu “Loro Boriçi” është vendi ku do të vendoset fati i dy ndeshjeve. Me tifozët e mrekullueshëm kuqeblu dhe me “gladiatorët” e Vllaznisë në fushën e blertë, për çdo ekip bëhet e vështirë të mos humbë në Shkodër. /ShkodraWeb/