Në mesatare të vendeve anëtare të BE. Duke i identifikuar rajonet nën nivelin 75% shpërndahen fondet për të çuar përpara kohezionin social. Në Europë, rajonet më të varfra janë në pjesën lindore, dhe jugore të saj, si Rumani, Bullgari, Greqi dhe disa rajone në Spanjë, të cilat i kanë të ardhurat për frymë nga 60-75% të mesatares së BE.
Por një vlerësim i fundit i INSTAT zbardh dramën e gjendjes ekonomike të rajoneve shqiptare dhe 12 qarqeve të vendit, të cilat i rendit shumë keq edhe në raport me rajonet më të varfra të Europës.
Të dhënat tregojnë se vetëm Qarku i Tiranës e ka PBB-në për frymë sa 42% e mesatares së BE-së, ndërsa 8 qarqe të tjera i kanë të ardhurat për frymë më pak se 25% të nivelit mesatar të BE-së për vitin 2017.
Qarku më i varfër i vendit, Kukësi, e ka PBB për frymë sa 18% e mesatares se Europës, duke u renditur edhe për vitin 2017 si, rajoni më i varfër i Europës.
Qarku i Fierit i ka të ardhurat sa 31.3% e mesatares së BE-së, Gjirokastra 30.9%, Durrësi 30.2 %, Vlora 25.6%, Berati me 25.4%, Dibra me 22.8%, Korça me 22.7%, Shkodra me 21.9.3% dhe Elbasani me 21.1% e mesatares së BE. Brenda vendit, Tirana e ka PBB për frymë 2.2 herë më të larta se Qarku i Kukësit që është më i varfëri në vend. Ndërsa gjithashtu Tirana ka një diferencë të madhe ekonomike edhe me qytetin e Elbasanit edhe pse janë fqinjë. PBB për frymë në Elbasan është dy herë më e ulët se në Tiranë.
Gjatë vitit 2017, hendeku ekonomik ndërmjet Tiranës dhe rajoneve të tjera u thellua më tej. Teksa kjo ecuri është një paralajmërim se qytet shqiptare do të vijojnë të zbrazen drejt Tiranës apo në emigracion pikërisht për shkak të hendekut të madh ekonomik. Më 2017, rritjen më të lartë e shënoi Qarku i Tiranës me një rritje në terma realë prej 8,54%, i ndjekur nga Qarku i Durrësit me një rritje në terma realë prej 4,09 % dhe Qarku i Beratit me një rritje në terma realë prej 1,92%.
Rritja ekonomike u ngadalësua në Qarkun e Vlorës, duke shënuar rënie në terma realë prej 3,26% dhe në Qarkun e Korçës, me një rënie në terma realë prej 2,22%. Si një e tërë, të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa rreh 30% e mesatares së BE-së, duke e renditur edhe si shtet si më të varfrin e Europës. Serbia dhe Maqedonia e kanë këtë tregues në rreth 37% dhe 35% përkatësisht, ndërsa në Mal të Zi është rreth 40%.
Sipas Eurostat, pabarazitë që ekzistojnë midis rajoneve të ndryshme mund t’i atribuohen një game të gjerë faktorësh, duke përfshirë: ndryshimet e sjella nga globalizimi (si zhvendosja dhe kalimi i aktiviteteve prodhuese dhe shërbimeve), trashëgimia e ish-sistemeve ekonomike, zhvillimet socio-ekonomike, largësia gjeografike dhe disponueshmëria e burimeve, duke përfshirë ato njerëzore. Këto manifestohen, ndër të tjera, në formën e privimit social, strehimit me cilësi të dobët, kujdesit shëndetësor ose arsim, shkallë më të lartë të papunësisë, ose infrastrukturë e papërshtatshme. /Burimi: Monitor/