Shqiptarët që vuajnë dënimin në burgjet italiane renditen të tretët në numër mes të burgosurve me origjinë të huaj.
Një fakt i tillë është bërë i ditur në raportin e fundit të prezantuar në Parlamentin italian me të dhëna të përditësuara deri më 21 korrik 2017 në burgjet italiane.
Të burgosurit shqiptarë përbëjnë rreth 13.4 % të numrit të përgjithshëm të të burgosurve me origjinë të huaj duke u renditur kështu të tretët në numër pas të burgosurve me origjinë marokene e atyre rumune.
Aktualisht në Itali 56.817 është numri i të burgosurve që shlyejnë dënimin e tyre ndaj drejtësisë në burgjet italiane.
65.9 % prej tyre janë shtetas italianë e 34.1 % janë shtetas të huaj. Në krahasim me të dhnëat e korrikut të një viti më parë, raporti i fundit regjistron 2.967 të burgosur më shumë në korrik të 2017.
Motivet e dënimit si për shtetasit italianë ashtu dhe për ata të huaj janë pothuajse të njëjta grabitje, trafik droge, vrasje, bashkëpunnim me organizata mafioze, armëmbajtje pa leje, etj.
Përqindja me e lartë e të burgosurve të huaj janë dënuar për grabitje e trafik droge. Vetëm 95 prej tyre janë dënuar me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet e organizim mafioz raporton “Ora News”.
Prej vitit 1975 e deri më sot numri i të burgosurve me kombësi të huaj është rritur mbi 6 herë e sipas raportit të prezantuar në Parlamentin italian është e domosdoshme adoptimi në burgjet italiane të Rekomandimit numër 12 të Këshillit të Europës mbi rregullat e regjimit të burgut për shtetasit e huaj duke i garantuar të drejtat e përkthyesit, të ndërmjetësit kulturor por dhe të drejtën e mosdëbimit nga territori italianë nëse pas shlyerjes së dënimit po punon me projekte të rekuperimit personal e të integrimit social.
Një nga problemet më madhore në burgjet italiane është mbipopullimi i tyre e aktualisht në një nivel kombëtar mesatarisht rreth 113.2 %.
Burgjet me të populluara janë burgu i Komos e ai i Bustio Arsizio në rajonin e Lombardisë me një nivel mbipopullimi 186,6%, e 174,2% e duke mos respektuar normën europiane për 3 metra katror qeli për çdo të burgosur.
Sipas raportit, mjaft problematike ëshë dhe gjendja e familjeve dhe i fëmijëve të të dënuarve jashtë burgjeve.
Janë rreth 24.795 fëmijë të burgosurish mes të cilëve 5.449 fëmijë të të burgosurve me kombësi jo italiane, të cilët kanë nevojë për një plan special mbështetës për të evituar varfërinë, përjashtimin social, etiketimin, devijimin e getoizimin.