Numri i aksidenteve këtë shtator ishte me një rritje 4.5 për qind në raport me një vit më parë. Të dhënat e Institutit të Statistikave raportojnë për 93 aksidente rrugore nga 89 të ndodhura në muajin Shtator 2022.
”Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 122 persona nga 134 në muajin Shtator 2022. Aksidentet rrugore, në 94,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit” thuhet në publikimin e INSTAT.
Por teksa drejtuesit e mjeteve janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve përmes sjelljes në timon INSTAT ka klasifikuar edhe moshën më problematike apo atë që ka qenë shkak për më shumë aksidente të raportuara.
“ Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 25,8 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 9,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” raporton INSTAT.
Ky i fundit nënvizon se në muajin Shtator 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Shtunë me 20,4 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të ditën e Enjte me 4,3 %.
Në muajin Shtator 2023, 22,5 % e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00.
Pavarësisht rritjes së shtatorit bilanci i aksidenteve në total për 9-mujorin rezulton me ulje.
“Në nëntëmujorin e vitit 2023, numërohen 863 aksidente rrugore nga 884 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 2,4 %. Numri i të aksidentuarve është 1.189 persona nga 1.257 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aksidentet rrugore, në 11,5 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për nëntëmujorin është ulur me 11,6 %” thuhet në publikimin e INSTAT. /Monitor/