Në Teatrin “Migjeni” në Shkodër është vënë në skemë mbrëmjen e sotme drama “Reigen” (Rrethi) me regji të austriakut Alois Galle, shkruar nga autori Artur Shcnitzler. Shfaqja e kësaj vepre në teatrot e Vjenës dhe Berlinit 100 vjet më parë për shkak të skenave erotike, çoi në konflikt dhe trazira në salla deri në ndalimin e saj. Publiku shkodran e ka mirëpritur shfaqjen me duartrokitje.
10 dialogët e shfaqjes, kanë qenë prej kohësh në mesin e kryeveprave të letërsisë botërore. Në këto 10 skena, vendosen përballë njëri-tjetrit prostituta dhe ushtari, ushtari dhe shërbëtorja, shërbëtorja dhe zotëria i ri, zotëria i ri dhe gruaja e re, gruaja e re dhe bashkëshorti i saj, bashkëshorti dhe vajza e ëmbël, vajza e ëmbël dhe poeti, poeti dhe aktorja, aktorja dhe konti, konti dhe prostituta e skenës së parë.
Asnjëri nuk është besnik ndaj tjetrit, ata flenë së bashku, por nuk ndjejnë dashuri. Ata ndihen të vetmuar edhe kur nuk janë vetëm. Vetmia nuk është fati i tyre, por faji i tyre. Ajo bazohet në gënjeshtra dhe mashtrime, në lakmi dhe në superficialitet. Rolet në vepër luhen nga aktorët e teatrit të Shkodrës, por dhe nga Tirana. Në role janë Krist Lleshi, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Simon Shkreli, Julinda Emiri, Pjerin Vlashi, Ina Gjonçi, Jozef Shiroka, Loredana Gjeçi, si dhe me pjesëmarrjen e Frederik Fistanit. /Shqiptarja/