Ndeshjet e javës së 31 në Kategorinë Superiore mund të sillnin verdiktet e para të këtij edicioni si sa i përket titullit, ashtu edhe rënies nga kategoria. Por rezultatet e 5 sfidave kanë bërë që gjithçka të mbetet matematikisht e hapur, ndërsa është ndezur shumë më tepër lufta për vendin e tretë në renditje.
Fitorja e Laçit ndaj Tiranës shtyu festën e bardhebluve, ndërsa ajo e Teutës me Kukësin, bëri që të hapet lufta për vendin e tretë, sidomos pasi edhe Partizani triumfoi në derbi.
Një luftë të cilës i janë bashkuar Vllaznia me Kastriotin duke fituar ndeshjet përkatëse të tyre. Kështu, gara për vendin e tretë sheh të përfshira nga Partizani që mban këtë pozicion, deri tek Kastrioti i vendit të 6 që ka vetëm 3 pikë diferencë me të kuqtë.
Sa i përket mbijetesës, Teuta i është shkëputur pak grupit të rrezikuar, me Egnatian që mban vendin e zonës play-out.
Ndërkohë, Dinamo dhe Skënderbeu janë në Superiore ende vetëm matematikisht, teksa regjistrojnë humbje pas humbje dhe vetëm presin momentin kur edhe llogaritë t’i zbresin në të Parën.