Aktorja Elia Zaharia ka folur në lidhje me situatën e dhunës në pallatin mbretëror, ku vetë ajo përplaset fizikisht me Princ Lekën, me pretendimin se ky i fundit i ka dhunuar babanë, Gjergj Zaharia.
Ajo ka folur në “Breaking”, Top Channel, ku është shprehur se kur pa babain e saj teksa dhunohej dhunshëm nga ish-bashkëshorti i saj, iu gris shpirti dhe ka reaguar pikërisht për të mbrojtur babain e saj, i cili kishte 10 ditë që kujdesej për vajzën e vogël.
Elia Zaharia bën me dije se me vajzën e saj jetojnë në shtëpinë familjare të cilën Princ Leka e ka braktisur sipas saj, deri në momentin që apartamenti që Leka i dha vajzës të ndërtohet.
“Të jesh e bindur që më panë sytë babin të sulmohej dhunshëm dhe mu gris shpirti. Të gjitha provat e dhunës janë në trupin e tij e prokuroria e gjykata i disponon të gjitha. Ti them këto pasi është e rëndësishme që njerëzit që më mbështetën publikisht, duke marrë edhe koston e urrejtjes së partizanëve të palës tjetër, të dinë në thelb që po mbrojnë një njeri që ‘u hodh në fyt’ në mbrojtje të prindit. Asnjë çështje prone nuk ka në mes, çdo gjë është e përcaktuar.
As uzurpim nuk ka, unë me vajzën jetojmë në shtëpinë familjare të cilën ai e braktisi, e kjo deri sa apartamenti që i dha vajzës të ndërtohet! E gjitha kjo sipas kodit të familjes ku mendohet interesi më i lartë i fëmijës. Babai im kishte 10 ditë që kujdesej për mua e për vajzën, se kam qenë me temperaturë e nuk kujdesesha dot. Çfarë nuk me kanë dëgjuar veshët këto ditë! Unë nuk kam as parti, as partizane, që të dalin të më mbrojnë, kam vetëm të vërtetën time”, deklaroi Elia.
Nndëerkohë, zbardhet urdhri i plotë i gjykatës, që pajisi me urdhër mbrojtjeje Princin Leka II Zogu dhe Elia Zaharian, të cilët paditën njëri-tjetrin për dhunë.
Në dokument, sipas Top Channel, theksohet që Princi mund t’i afrohet Pallatit Mbretëror, vetëm në rastet kur do të takojë vajzën e mitur.
Pasi ka pranuar padinë e Elias, gjykata ka urdhëruar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për të:
“Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune në familje ndaj paditëses Elia Zogu.
Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos i afrohet paditëses Elia Zogu, përtej një distance prej 5 metrash.
Urdhërohet menjëherë i padituri Leka II Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton paditësja Elia Zogu, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, me përjashtim të rasteve kur ka oraret e takimit me fëmijën e mitur, Geraldina Zogu.
I padituri Leka II Zogu ka të drejtë të takojë dhe të qëndrojë me fëmijën e mitur nga dita e hënë deri të premten, nga ora 16:00 deri në orën 18:00 dhe ditën e shtunë dhe të diel nga ora 11:00 deri në orën 13:00, marrja dhe dorëzimi i fëmijës do të realizohet në prezencën e dados.”
Gjykata ka pranuar padinë edhe nga Princ Leka dhe ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes për të:
“Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër dhune ndaj paditësit Leka II Zogu.
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos cenojë, kërcënojë paditësin Leka II Zogu.
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos i afrohet paditësit, banesës ku jeton paditësi Leka II Zogu, vendit të tij të punës apo vendeve të tjera që frekuenton, përtej një distance 5 metër.
Urdhërohet menjëherë e paditura Elia Zogu të mos qëndrojë në banesën ku jeton, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë, gjatë orareve të takimit të paditësit Leka II Zogu me fëmijën e mitur Geraldina Zogu.
E paditura Elia Zogu deri në marrjen e vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, do të qëndrojë në banesën ku jeton aktualisht, e cila ndodhet në adresën Rruga Murat Toptani, Vila Rezidenciale Mbretërore nr.6, Tiranë.
Ky urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje i fillon efekte që nga data 7 mars 2024.
Data e gjykimit për vërtetimin e këtij urdhri do të jetë në 21 mars, ora 114:00.
Ky vendim përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga Zyra e Përmbarimit.
Shkelja e këtij vendimi përbën vepër penale, sipas nenit 320 dhe 321 të Kodit Penal.”