Dy javë pasi dorëzoi në KQZ listën me kandidatët për zgjedhjet e 25 prillit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mblodhi dje drejtuesit politikë për të raportuar për secilin qark.
Mbledhja e drejtuesve politikë është kthyer në një rutinë nga kreu i PD-së, por që ishte ndërprerë në dy javët e shkuara. Në mbledhjen e mbrëmshme, kreu i PD-së ka kërkuar informacion prej tyre në lidhje me situatën në terren.
Ndërkohë, i ka kërkuar secilit prej drejtuesve që të identifikojnë votuesit besnikë të së djathtës. Kreu i PD-së ka kërkuar që të evidentohet numri i saktë i votuesve të sigurt të së djathtës dhe të punojnë për të shtuar më tepër emrat e tyre në listë. Ndërsa u ka lënë detyrë që të punojnë tepër edhe me elektoratin e gri.
Basha ka kërkuar prej të besuarve të tij në qarqe që të intensifikojnë takimet me qytetarët. Detyra e drejtuesve politikë, sipas Bashës, është që t’u shpjegojnë qytetarëve me detaje se çfarë përmban programi i Partisë Demokratike në rang kombëtar, por edhe të atyre që quhen miniprograme, të cilat janë specifike për secilin qark dhe njësi. Ndonëse ende jo zyrtarisht, të gjitha palët politike kanë muaj tashmë që kanë nisur punën për të bindur qytetarët se përse duhet t’i mandatojnë për t’i qeverisur në 4 vitet e ardhshme.
PROGRAMI POLITIK
Kryetari i PD-së ka disa javë që ka prezantuar disa shtylla të programit të tij politik. Sipas kreut të PD-së, filozofia e qeverisë së ardhshme të PD-së është që t’u lërë qytetarëve dhe bizneseve më shumë para në duar, duke u rritur pagat dhe duke ulur detyrimet tatimore të qytetarëve dhe biznesit ndaj shtetit. Sipas kreut të PD-së, në momentin që qytetarët kanë më shumë para në duar, ata do të rrisin standardet e jetesës.
Në planin e tij Basha angazhohet që të vendosë taksën e sheshtë 9%, ndërsa aktualisht tatimi mbi të ardhurat personale është progresiv dhe varion nga 13% në 23%. Po ashtu, Basha zotohet se do të ulë taksën për kontributet shoqërore nga 24.5 që është aktualisht në 19%, ku gjysmën do ta paguajë punëdhënësi dhe gjysmën punëmarrësi. Prioritet të veçantë në programin e PDsë do të ketë edhe rinia.
Si fillim, Basha angazhohet se do të dyfishojë buxhetin për arsimin e lartë dhe do të rimbursojë tarifat e arsimit për studentët që vijnë nga familjet me të ardhura nën 64 mijë lekë në muaj. Qeveria e ardhshme, sipas kryedemokratit do të sigurojë 10 mijë stazhe çdo vit për më të mirët, duke i siguruar një pagesë 30 mijë lekë të rinj në muaj. Mbështetje programi i PD-së ka parashikuar edhe për çiftet e reja. Si fillim, të rinjve do t’u vihet në ndihmë duke u dhënë 5 mijë kredi për shtëpinë me interesa 0 pasi interesi i bankës do paguhet nga qeveria, ndërsa më pas në një hap të dytë qeveria e ardhshme do të japë 3 mijë lek të rinj çdo muaj për çdo bebe të porsalindur. Në bujqësi, PD angazhohet se do të investojë 150 milionë euro në muaj, ndërsa mjekëve e njësuesve do t’u rrisë ndjeshëm pagat, duke shkuar në standardet e rajonit minimalisht.