Edi Rama ka bërë “për një lek” rektorët e dekanët e universiteteve publike shqiptare. Në një takim që u shit mediatikisht si bashkëbisedim me drejtuesit e universiteteve e që në fakt ishte monologu i rradhës i shefit të qeverisë, kryeministri u fajësua publikisht. Ai ka vënë në dyshim, me fakte, nëse ka qenë ai apo një tjetër kryetar i qeverisë së Shqipërisë në këto 5 vite.
Rama e tha shqeto se nuk ka patur dijeni se 6 milion euro në universitete shkojnë për roje sigurie. Ai nuk e paska ditur as se një dekan ka blerë 76 mijë euro një veturë për vete. E këtyre shifrave, me gojën e tij, kryeministri i shtoi edhe faktin tjetër se 75% e financave të universiteteve (kosto të studentëve), subvencionohet nga qeveria.
Edi Rama tregoi sot se është kryeministër por që nuk di apo nuk i intereson ku shkojnë paratë publike. Kryeministri, me gojën e tij pohoi se vendime të qeverisë nuk u janë bërë të njohura studentëve dhe kjo, për faj të universiteteve publike! Shefi i qeverisë shprehu pendesën e tij për autonominë universitare, e cila tha se ka qenë e parakohëshme. Pranoi që në bordet e administrimit të universiteteve shumica janë përfaqësues të qeverisë sepse është aksioneri më i madh, por nuk i’a kanë idenë se nga kanë shkuar paratë e menaxhuara pikërisht nga këto borde.
Sot, para të gjithë shqiptarëve, Rama e pranoi se nuk ka qenë ai kryeministri i Shqipërisë këto 5 vite ose në rastin më të mirë, nuk e ka çarë kokën se nga kanë shkuar paratë e shqiptarëve që permes taksa, tatimeve e tarifave ai ka patur detyrim ti menaxhojë e kontrollojë. Kjo është vertetë e rëndë.
A nuk duhej ta dinte Ministria e Arsimit se ku shkojnë 6 milion euro, ku shkojnë 76 mijë euro, që fondi për kërkimin shkencor është zero? Edi Rama u përpoq të fajësojë rektorët e dekanët me monologun e tij, duke u munduar të hedhë një pjesë të barrës së përgjegjësisë edhe të qeverisë tek ata. Në fakt, kryeministri dha provën e fortë se ministrja e tij e Arsimit, Lindita Nikolla, ka dështuar dhe natyrisht, i ka orët e numërua në krye të dikasterit.
Pasi kanë kaluar 5 vite nga reforma e famshme në arsimit, të paktën në arsimin e lartë, ajo ka dështuar me “sukses të plotë”. Shkarkimet e paralajmëruara sot nuk kanë vlerë. Sepse çdo gjë duhet të nisë nga e para. Duke filluar me mënyrën e zgjedhjes se rektorëve, dekanëve, shefave të tjerë në universitete. E pranoi vetë kryeministri, i cili tha se duhet rritur pesha e votës së studentëve. Janë 5 vite që rezultuan një fiasko dhe u desh protesta e studentëve për ta kuptuar. Sepse qeveria ia kishte futur gjumit! Për të mos thënë se ishte e përfshirë në korrupsion direkt ose indirekt në universitetet publike shqiptare. Dhe e fundit! Edi Rama i dha sot një provë të fortë edhe universiteteve shqiptare se ato private janë më të avancuara se publiket. Është një shërbim jo pak i vyer për “çilërat” për të mos thënë se ky ishte qëllimi i ligjit për arsimin e lartë që në zanafillë. /Sokol N. Sokoli/